Bllokohen 11 makina të lojërave të fatit
DURRES - Operacioni policor “Gambling 2”, godet një sistem lojërash fati në Durrës, makineritë elektronike të të cilave dyshohet se janë të trukuara. Si rrjedhojë janë bllokuar 11 makineri lojërash fati pa asnjë dokumentacion përkatës, ndërkohë që zotëruesit e tyre si dhe pronarët e dyqaneve ku ishin montuar këto makineri do të përballen me drejtësinë, pas hetimit në liri që vendosi policia. Pas dyshimeve të lindura nga denoncues të ndryshëm, (klientë) që sa herë frekuentonin këto ambiente humbnin para pa fituar kurrë, seksioni kundër krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës-Krujë, vendosi kontrolle rrufe në këto lokale. Plan-operacioni për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin bregdetar, do të shtrihet në ditët në vijim në çdo njësi të Qarkut, saktësoi policia e Durrësit. Burime nga policia bënë me dije se “në lokalin e shtetasit B. B., në rrugën ‘Aleksandër Goga’, u gjetën dhe u bllokuan 6 makineri pa certifikata, ndërsa tre të tjera nuk ishin pajisur me lejen përkatëse për ushtrimin e aktivitetit. Ndërsa bilanci i kontrollit tjetër të ushtruar në lagjen pesë të Durrësit rezultoi me bllokimin e pesë makinerive elektronike lojërash fati. o.u