Islamaj, akuzë Bejlerit: Ti e Shoqata jeni të paligjshëm
TIRANE – Gjyqtari i Shkodës, Fatri Islamaj dhe njëkohësisht anëtar i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, “sulmoi” gjatë mbledhjes së dy ditëve më parë kryetaren e SHKGJ, duke quajtur të paligjshme në detyrë. Sipas tij kjo bazohej në faktin se SHKGJ prej disa kohësh nuk kishte bërë mbledhje për të zgjedhur organet drejtuese të saj. Duke vazhduar më tej, Islamaj e quajti inekzistente këtë shoqatë. Islamaj e bëri deklaratën e tij gjatë pjesës së dytë të mbledhjes që u zhvillua në ambientet e Gjykatës së Lartë, në një moment kur Bejleri po diskutonte në emër të shoqatës. Kjo solli reagimin e ashpër të Bejlerit, e cila menjëherë pohoi se pretendimet e Islamajt ishin të pavërteta dhe se ai po e sulmonte padrejtësisht. Për ta bindur këtë, Bejleri argumentoi se ishte pikërisht ky gjykatës që kishte marrë pjesë në grupin nismëtar për krijimin e shoqatës dhe se ky kishte votuar pro në zgjedhjen e saj kryetare. Duke vazhduar në këtë mënyrë Bejleri pohoi se gjyqtari Islamaj kishte votuar “pro” në të gjitha votimet që ishin bërë brenda shoqatës, ndërsa konflikti mes tij dhe saj kishte nisur në momentin që drejtuesit e kësaj organizme kishin vendosur të ankimonin në Kushtetuese ligjin për lustracionin. f.m.