Mosfunksionimi i Konferencës Gjyqësore, KLD me 4 vende bosh
TIRANE – Aktualisht Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka katër vende vakante pasi dy prej anëtarëve janë larguar për në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, njëri ka fituar mandatin e deputetit dhe të katërtit i ka mbaruar mandati si anëtar i KLD-së. Por, edhe pse KLD ndodhet në këtë gjendje, Konferenca Gjyqësore nuk ka arritur të mblidhet për shkak të shfuqizimit të ligjit për KGJK. Gjykata Kushtetuese me kërkesë të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtrarëve Shqiptarë, pak muaj më parë vendosi të shfuqizonte ligjin për KGJK-në, duke bërë që të mbetur pezull aktiviteti i këtij organizmi që përmbledh të gjithë gjyqtarët shqiptarë. Kjo gjendje vazhdon prej disa kohësh, ndërsa ende nuk është gjetur mënyra sesi togat e zeza të zgjedhin katër anëtarët e rinj të KLD-së. Veç kësaj, kohët e fundit është vënë në pikëpyetje legjitimiteti i veprimtarisë së KLD-së në mungesë të katër anëtarëve. Të paktën Unioni i Gjyqtarëve Shqiptarë, njëra prej shoqatave të togave të zeza, rreth një muaj më parë pohoi publikisht se vendimmarrja e KLD-së në lidhje me gjyqtarët gjatë kësaj kohe ishte e paligjshme dhe se kjo shoqatë do kërkonte rishikimin e këtyre vendimeve. Sipas tyre bëhej fjalë vetëm për vendimet që kanë të bëjnë me gjyqtarët. Kjo vetëm për faktin se togat e zeza nuk përfaqësohehsin siç duhet në KLD, për shkak të moszgjidhjes së anëtarëve nga radhët e gjyqtarëve. f.m.