E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Konferenca mblidhet vetëm me ligj”

 

Fatos Mahmutaj

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve Shqiptarë, pas dështimit të Konferencës Gjyqësore dy ditë më parë, pohoi dje se KGJK duhet të mblidhet vetëm me ligj. Sipas saj, duhet që fillimisht të miratohej një ligji për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore dhe pastaj të mblidhej ky organizëm për të kryer veprimtarinë e tij ligjore. Kryetarja e SHKGJ, Manjola Bejleri, komentoi dje se se takimi i dy ditëve më parë nuk mund të ishte konferencë, por vetëm një mbledhje e thjeshtë e një grupi gjyqtarësh. Sipas Bejlerit ky pretendim argumentohej me faktin e pjesëmarrjes së ulët të gjyqtarëve në këtë takim, ndërsa shoqata e drejtuar prej saj nuk kërkoi në asnjë moment gjatë takimit që të hidhej në votim kërkesa për organizmin e Konferencës Gjyqësore në mungesë të ligjit. Bejleri tha se veç tjerash, një gjë e tillë kushtëzohej nga fakti i pjesëmarrjes së ulët të togave të zeza në takim, duke u paraqitur në fillim të mbledhjes 119 gjyqtarë, ndërsa në pjesën e dytë të mbledhjes vetëm 82 vetë. Sipas saj kurrsesi një numër kaq i vogël gjyqtarësh nuk mund të vendoste për probleme të rëndësishme që shqetësojnë aktualisht gjyqësorin. “Një minorancë kaq e vogël togash të zeza, vetëm një e treta e tyre në fillim të mbledhjes dhe akoma më pak më pas, nuk mund të merrte në dorë dhe të diskutonte për mbledhjen e Konferencës, në kohën që nuk ka ligj për të”, tha Bejleri. Gjatë prononcimit të djeshëm për “Panarama” Bejleri komentoi edhe përplasjen mes saj dhe gjykatësit të Shkodrës Fatri Islamaj. Bejleri pohoi se gjyqtari Islamaj ka qenë një nga anëtarët e grupit nismëtar për krijimin e Shoqtatës Kombëtare të Gjyqtarëve. Bejleri pohoi se Islamaj ka qenë edhe një nga votuesit e saj si kryetare e shoqatës, ndërsa për më tepër, sipas Bejlerit, ai ka votuar “pro” në të gjitha votimet që janë kryer brenda shoqatës. “Për të parë legjitimitetin tim në krye të SHKGJ, meqë Islamaj më “sulmoi” në një kohë që nuk e prisja, i them atij të shohë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, një të këtij viti dhe tjetri i vitit të kaluar, që kanë të bëjnë me dy çështje të fituara prej nesh. Në ato vendime është shënuar se kërkesat e SHKGJ-së janë të ligjshme dhe se unë jam verifikuar nga kjo Gjykatë si kryetare e ligjshme e shoqatës”, tha Bejleri, e cila shtoi më tej se konflikti mes saj dhe gjyqtarit Islamaj ka nisur në momentin kur SHKGJ vendosi të kërkonte në Gjykatë Kushtetuese shfuqizimin e ligjit për lustracionin. Duke folur për shoqatën që drejton Bejleri pohoi se në mbledhjen e radhës të këtij organizmi do të vendosej pranimi i rreth 40 anëtarëve të rinj, të cilët kanë paraqitur kërkesa më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›