Fal pas 70 vitesh gjakun e të atit, pajtohen 2 familje
KURBIN/ ROLAND NIKOLLI
Falet gjaku pas 70 vitesh. Dy familje kanë qëndruar në hasmëri prej vitit 1941, derisa dy djemtë e autorit kërkuan me këmbëngulje që fëmijët e viktimës t’u shtrijnë duart e pajtimit. Që prej kohës së Luftës së Dytë Botërore e deri sot, brez pas brezi, familja e Cen Metës nga fshati Shëmri i Kurbinit i ishte ruajtur asaj së Dan Farukut, nga Borizana e Krujës. Por, dje të dyja familjet janë ulur bashkë, në një tavolinë, duke pirë kafe e duke pohuar se pas 7 dekadash, mes tyre nuk ka më asnjë shenjë hasmërie. Falë ndërmjetësisë së misionarëve të pajtimit të gjaqeve, është arritur që mes familjeve Meta e Faruku të mos ketë më ndasi në të ardhmen.
Sipas familjarëve mësohet se vrasja ka ndodhur në prill të vitit 1941. Cen Meta, atëherë 41 vjeç po shkonte te njerëzit e tij kur mbi rrugën ku ai kalonte ka dëgjuar zhurmë. Pa e ditur se çfarë ishte ai ka qëlluar me armë zjarri. Plumbat kanë zënë Dan Farukun, atëherë 38 vjeç, me të cilin kishin dhe lidhje të largëta. Pasi ka parë viktimën, Meta, i penduar për çfarë kishte ndodhur nuk është kthyer në shtëpinë e tij për dy muaj. Ndonëse fjalët i kishin shkuar familjes Faruku se vrasja kishte ndodhur nga pakujdesia, autori deri në vitin 1946 kishte qëndruar më shumë malit, duke iu fshehur përballjes me familjarët e viktimës. Me të njëjtën frikë ai ka jetuar deri në vitin 1990. Pas kësaj periudhe, familja Meta i ka kërkuar besë familjes Faruku, për të lëvizur dhe siguruar jetesën e familjarëve, të cilët kishin lindur pas krimit. Dhënia e fjalës bëri që ditën e djeshme, të dyja palët të takoheshin, duke organizuar dhe ceremoninë e pajtimit. Protagonistë të faljes së gjaqeve kanë qenë djemtë e dy palëve. Hamit Meta thotë se pas viteve ’90 i kanë respektuar të gjitha zakonet dhe detyrimet që u takonin, pasi ishin fajtorët në këtë ngjarje. Ai tregon se negociatat për pajtim kanë nisur dy vitet e fundit, duke u futur në mes dhe misionarët e pajtimit të gjaqeve. “Kjo është dita më e madhe e jetës sime. Kjo nuk është sjellja në jetë e një fëmije apo martesa e dy të rinjve, por është jeta e brezave, të cilët kanë mundësi të jetojnë pa konflikte. Po, kështu pas 70 vitesh kam mundësi të shkoj lirisht tek dajat e mi, te të cilët nuk kemi shkuar pas vrasjes. Edhe përse tashmë konflikti është mbyllur, ne do jemi vazhdimisht kokulur dhe do të dimë të respektojmë vazhdimisht familjen Faruku”, thotë Meta. Ndërsa djali i viktimës, Sabri Faruku, në moshë të thyer, shprehet se tani ata janë një familje, duke u bërë apel dhe familjeve të tjera në gjak të veprojnë si ata. “Edhe pse kjo falje duhej të kryhej më parë, sërish më mirë vonë se kurrë. Unë kam ardhur në emër të djemve të mi dhe të afërmve të mi, duke ju sjellë një fjalë: Tash e mbrapa ne do jemi miq, pjesëtarë të një familjeje dhe nuk do të kemi më asnjë hasmëri apo edhe konfliktin më të vogël. U bëj apel gjithë shqiptarëve, që ashtu siç po bëj unë duke falur gjakun e babait tim, të kryejnë edhe ata të njëjtën gjë, për të mirën e tyre dhe fëmijëve të tyre. Eshtë vërtet e vështirë të falësh, por në emër të Zotit, i cili na dha jetën duhet të çmojmë jetën e njeriut si gjënë më të shenjtë që ne kemi dhe duhet ta mbrojmë atë”.
Gjok Malçi: Akti i familjeve, fisnik
Gjok Malçi, nënkryetar i Misionit Kombëtar të Pajtimeve të Gjaqeve ishte i pranishëm në këtë pajtim mes familjeve Meta dhe Faruku. “Kjo është një ditë e shenjtë. Zoti i ka falë jetën secilit prej nesh, por më e shenjtë është kjo ditë pasi familja e Sabri Farukut, i fali gjakun familjes së Hamit dhe Petrit Metës. Ky është një shembull për të gjitha familjet shqiptare, të cilat ndodhen të ngujuara apo kanë probleme të tilla, duke u treguar të matur, por edhe fisnik, duke u treguar me të vërtetë më trima të falin gjaqet”.