E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 19 mjete luksoze pa dokumente, “Regjina” gjuan mjetet e vjedhura



LEZHË - Bllokohen 19 mjete luksoze nga ana e policisë së Lezhës dhe Kurbinit, në kuadër të një operacioni të koduar me emrin “Rexhina”, i cili ka vënë në shënjestër mjetet e grabitura në Shqipëri dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian. Agjentët e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me shërbimet e policisë të komisariateve Lezhë dhe Kurbin kanë bërë të mundur ndalimin e 19 mjeteve, ku ka rezultuar që 3 prej tyre janë denoncuar të zhdukura jashtë vendit. Burimet policore shprehen se mjetet iu sekuestruan shtetasve Kurt Cakonit nga Kurbini, të cilit iu bllokua makina tip Mercedes Benz, me targe LA 6606 A; Ilir Prekës, banues në Balldre të Lezhës, të cilit iu sekuestrua automjeti i tipit Fiat Dukato, me targe LE 071 A dhe Pjetër Nikollit nga Laçi të cilit ju sekuestrua mjeti i tipit Suzuki Vitara, me targë LA 2135 A. Për të tre këta persona materialet i janë kaluar për hetim të mëtejshëm Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe asaj të Kurbinit, pasi akuzohen për “trafikimit të mjeteve motorike”. Burimet zyrtare të policisë sqarojnë se kanë nisur procedurat e verifikimit për 16 mjete të tjera, ku pritet konfirmim nga zyra e Interpolit të Tiranës.

20 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›