E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata e Bollanos: “Dhëndri i Berishës, koordinator i tabelave në greqisht”



VLORË - “Mund të merrni në pyetje edhe Jamarbër Malltezin. Ai është koordinatori i tabelave në greqisht”. Këto janë fjalët e thëna përmes avokatit të tij, Petraq Curri, nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Ai është shprehur para trupit gjykues në seancën e zhvilluar dje se në planin për ristrukturimin e zonës së Himarës ka qenë i përfshirë edhe vetë zoti Malltezi, i cili është koordinator i një projekti për zhvillimin e kësaj zone. Ndonëse nuk është paraqitur sërish në sallën e gjyqit, Bollano ka kërkuar, përmes mbrojtjes, që të bëhet rivlerësimi i dëmit që pretendohet se është shkaktuar nga ekspertë të tjerë, kërkesë që është pranuar nga trupi gjyqësor. Para përfundimit të seancës, avokati i Bollanos kërkoi rishikimin e aktit të ekspertimit për heqjen e tabelave nga ana e kryebashkiakut. Lidhur me këtë kërkesë mbrojtësi ligjor u shpreh se personi që kishte kryer më parë aktin e ekspertimit nuk ishte inxhinier ndërtimi, por një teknik i thjeshtë, e shkuara e të cilit nuk linte shumë për të dëshiruar. Kjo kërkesë e avokatit u pranua nga gjykata, që caktoi dy ekspertë të tjerë për të kryer ekspertizën dhe për të dhënë një tjetër akt për ngjarjen.
Shkak për hetimin e Bollanos janë bërë ankesat e disa banorëve të zonës, të cilët kanë njoftuar prokurorinë për dëmin e shkaktuar në heqjen e tabelave orientuese në aksin Qeparo-Qafë Llogora. Pas verifikimeve në terren ka rezultuar se Policia Bashkiake e Himarës i ka hequr ato me urdhër të kryetarit Vasil Bollano. Kështu, heqja e tyre për organin e akuzës përbën shkelje ligjore, e shoqëruar me një dëm ekonomik prej 2.1 milionë lekësh, për të cilën Bollano duhet të japë llogari para gjykatës së Vlorës. Sipas burimeve nga kjo gjykatë, rezulton se i pandehuri Bollano është marrë në pyetje në lidhje me këto shkelje, duke mbajtur qëndrim pohues, me pretendimin se në tabelat dhe sinjalistikën e rrugëve, përveç gjuhës shqipe, duhet të shkruhen edhe në greqisht, pasi sipas pretendimeve të tij, kjo zonë është e banuar nga minoritarë grekë. Deri tani vetë kryebashkiaku Bollano nuk ka marrë pjesë në asnjë nga seancat gjyqësore të zhvilluara ndaj tij. Ai është vënë në akuzë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, gjë që parashikohet në nenin 248 të Kodit Penal. Tashmë procesi ndaj Bollanos do të shtyhet sërish për shkak të rifillimit të ekspertizës, e cila do të verifikojë nëse dëmi i shkaktuar nga urdhri i kryetarit të Bashkisë së Himarës është 2.1 milionë lekë apo jo.

20 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›