E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi në Pukë: “Qeveria të kthejë vëmendjen nga Veriu”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u ka bërë thirrje dje qeverisë dhe politikës shqiptarë të kthejnë vëmendjen në zhvillimin e zonave malore. Kreu i shtetit ka vizituar dje qytetin e Pukës, ku ka marrë pjesë në panairin agro-ushqimor. Gjatë fjalës së mbajtur në panair Topi ka kërkuar që të kthehet vëmendja ndaj njerëzve që punojnë në zonat malore. Sipas tij, pavarësisht lëvizjeve demografike, është e rëndësishme që të hartohen politika konkrete të zhvillimit të këtyre zonave. Presidenti u bëri thirrje deputetëve të zonës së Pukës që të krijojnë lobing në Parlament për zhvillimin e zonave malore, veçanërisht për zhvillimin e turizmit malor.
Deklarata
“Një pjesë e njerëzve kanë shkuar drejt zonave urbane. Dhe kjo është një tendencë natyrale, por, nga ana tjetër, edhe pse një pjesë e njerëzve kanë shkuar drejt zonave urbane, ne duhet ta kthejmë vëmendjen ndaj njerëzve që punojnë edhe në këto zona, të cilët pa dyshim duhet të jenë në vëmendje të politikave konkrete të ruajtjes së resurseve, të rëndësishme të këtyre zonave”, - është shprehur presidenti Topi. Ai u sugjeroi deputetëve që të bashkëpunojnë për t’i rikthyer kësaj zonë rëndësinë që meriton për shkak të bukurisë natyrore dhe pasurive të shumta. “Ne jemi pikërisht në fillimet dhe asnjëherë nuk duhet të mendojmë që jemi në përfundim të procesit, sepse kërkohet shumë punë dhe përderisa sot ne kërkojmë që të promovojmë zona, të cilat janë lënë disi në planin sekondar, duhet patjetër që të gjithë së bashku, të gjithë aktorët që janë shumë të rëndësishëm, të fillojmë me politikat promovuese, me politikat e lobingut në Parlament dhe unë mendoj që ky është një element i dukshëm”, - është shprehur kreu i shtetit në takim më banorët e qytetit të Pukës.
Turizmi
Presidenti Topi, gjatë fjalës së tij, ka vënë theksin dhe në zhvillimin e turizmit në këto zona. Ai vlerësoi në këtë aspekt dhe ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. “Turizmi malor është pa dyshim i shndërruar në turizëm familjar si dhe turizëm për të pasionuarit pas sporteve. Ne kemi një mundësi shumë të madhe që zonat malore të Veriut, dikur të harruara, sot dhe nesër do të kenë patjetër një aks të rëndësishëm, që është rruga që po ndërtohet, rruga që do të lidhë jo vetëm zona të harruara të Veriut, por patjetër një element shumë të rëndësishëm ky, do të lidhë Durrësin si një element terminal me Prishtinën, me Vardarin, për t’i dhënë një dimension tjetër tregut, qoftë edhe atij turistik. Unë jam i bindur që zonat e Veriut do të kenë një zhvillim tjetër”, - është shprehur Topi.

20 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›