Shqipëria do të përfaqësohet me 3 deputetë në Asamblenë e Barcelonës
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e pranishme dje në seminarin “Shqipëria dhe procesi i Barcelonës: Bashkimi për Mesdheun”, ka bërë të ditur se Shqipëria do të përfaqësohet me 3 deputetë në Asamblenë e Barcelonës. Ajo shprehu besimin se vitin e ardhshëm Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në këtë nismë, që drejtohet nga presidenti i Francës, Nikola Sarkozi. “Kjo ka në specifikë shumë të veçante, qoftë për natyrën e bashkimit të Mesdheut, qoftë për vlerat që mund të sjellë Shqipëria si përfaqësuese e rajonit, si një model i bashkëjetesës fetare, ose si një model i bashkëjetesës etnike, si një model i kapërcimit të vështirësive, të konflikteve të ndryshme. Në këtë asamble do të ketë tre deputetë nga Kuvendi i Shqipërisë, të cilët do të shkëmbejnë parlamentarët të vendeve si Spanja, Franca, Jordania, Maroku, Turqia dhe vende të tjera. Besoj se vitin e ardhshëm Kuvendi i Shqipërisë do të përfaqësohet dhe do të njihet si anëtar me të drejta të plota të kësaj Asambleje”, - është shprehur Topalli. Ajo u shpreh se anëtarësimi i Shqipërisë më të drejta të plota do të fuqizojë parlamentarizmin shqiptar dhe do të bëjë më të njohur Shqipërinë në të gjitha proceset e saj.
20 Shtator 2008