E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen 2 “BMW” X5, rezultonin të vjedhura në Angli



Tiranë - Rezulton i vjedhur në Angli dhe sekuestrohet në Tiranë autovetura e kushtueshme. Sipas ekspertëve të Antitrafiqeve, automjeti tip “BMW” me targë TR 5275 P, me ngjyrë të zezë, në pronësi të Kujtim Shehajt, 23 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Kodër Kamzë, u bllokua pasi rezulton se është i denoncuar dhe i vjedhur në Angli. Në momentin e bllokimit mjeti drejtohej nga shtetasi i mësipërm, i cili ka deklaruar se automjetin ia ka blerë shtetasit anglez Xhon Baes kundrejt shumës 15 000 euro, duke i bërë dhe kontratën e shitblerjes. Pas hetimeve të bëra nga seksioni i Luftës Kundër Trafiqeve në Tiranë ky automjet rezulton të jetë futur në Shqipëri nga shtetasi anglez. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike”. Po për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike” iu dërguan materialet Prokurorisë për fillimin e procedimit penal për Albert Hoxhën, 31 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Këtij shtetasi iu sekuestrua automjetin tip “BMW” X5, me targa LU 179897, mjet i cili dyshohet si i trafikuar. U kryen veprimet procedurale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti i mësipërm.

21 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›