Minxhozi, letër kryeadministratorit të UNMIK-ut për akuzat e Del Pontes
Deputeti i zonës së Matit, Qemal Minxhozi, i ka dërguar një letër kryeadministratorit të UNMIK-ut në Kosovë, Joakim Rucker. Në këtë letër Minxhozi i ka quajtur tërësisht të pabaza dhe tërësisht të pasakta, madje dhe cenim të imazhit të zonës së Matit, por edhe të gjithë Shqipërisë, akuzat në librin e ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte, sipas së cilës, në fshatin Gurrë kryheshin transplantimet e organeve jetësore të ushtarëve dhe civilëve serbë. “Në librin e saj të kohëve të fundit, ‘Gjuetia’, ish-kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën, znj. Karla del Ponte, ka pretenduar se në rrethin e Matit, pikërisht në fshatin Gurrë, gjatë vitit 1999, janë deportuar me forcë ushtarë serbë që shërbenin në atë kohë në Kosovë. Sipas asaj që pretendon znj.Del Ponte, atyre u është kryer transplantimi i organeve dhe më pas janë varrosur në varrezat e këtij fshati. Si deputet i kësaj zone dhe, për rrjedhojë, si përfaqësues i interesave të banorëve mbi të cilët rëndojnë këto akuza të pabaza, dëshiroj të përcjell pranë Jush shqetësimin dhe indinjatën e thellë që këto pretendime të znj.Del Ponte kanë shkaktuar në komunitetin e zonës time. Më lejoni t’Ju informoj se në shkurt të vitit 2004, një grup prokurorësh nga Gjykata e Hagës kanë mbikëqyrur zonën dhe kanë arritur në konkluzionin se aty nuk është kryer asnjë veprim nga ato që pretendohen në librin ‘Gjuetia’ të znj. Del Ponte. Në të kundërt, theksoj se në këtë zonë, edhe sipas dëshmive të banorëve autoktonë, nuk është parë apo provuar asnjëherë ardhja apo prania e ushtarëve serbë, në atë periudhë, apo edhe më vonë. Dëshiroj t’Ju vë në dijeni se ky dezinformim monstruoz ka okupuar faqet e para të mediave në Shqipëri, duke sjellë shqetësim, revoltë dhe indinjatë tek banorët e Gurrës dhe të gjithë zonës që përfaqësoj. Kjo akuzë bie ndesh me frymën e bujarisë, mikpritjes, urtësisë dhe me zakonet e lashta që Mati ka kultivuar në shekuj dhe që e kanë bërë atë të njihet si njëra ndër krahinat më mikpritëse dhe paqedashëse në Shqipëri”, - thuhet ndër të tjera në letrën e deputetit socialist Qemal Minxhozi, drejtuar kryeadministratorit të UNMIK-ut në Kosovë, Joakim Rucker.
Sh. Sulçe
21 Prill 2008