Mustafaj: ”Sulmi ndaj Vizion Plusit, kundër rrymës së PD-së”
Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka reaguar pas ndërhyrjes së shtetit për të prishur antenat televizive të Televizionit Vizion Plus në malin e Dajtit. Sipas deputetit të Partisë Demokratike, kjo nuk është e moralshme dhe për më tepër nuk është pjesë e programit të Partisë Demokratike. Sipas Mustafajt, PD-ja ka ardhur si një forcë që ka ruajtur pavarësinë e medieve, ndaj dhe këto sulme janë kundër frymës së saj. “Partia Demokratike ka ruajtur dhe është rikthyer në pushtet si forcë politike serioze e lirisë së mediave, ndaj dhe veprimi është kundër politikave tona”, - tha Besnik Mustafaj. Pavarësisht reagimit të gjerë politik dhe shoqëror, ministri i Transporteve ka reaguar duke thënë se nuk po preken antenat e televizionit, por vetëm prishja e një ndërtimi pa leje. “Pretendimi se edhe antenat e televizioneve, përfshirë Vizion Plusin, janë të paligjshme, është spekulativ. Antenat, është e vërtetë që nuk disponojnë leje ndërtimi, por janë në proces legalizimi, pasi janë ndërtuar vite më parë, pra përpara procesit të fotografimit ajror, që përbën ligjërisht momentin e ngrirjes së situatës ndërtimore. Konstruksioni metalik, objekt i ndërhyrjes së INUK-së, është ndërtuar gjatë dy muajve të fundit, pra pas fotografimit ajror, gjë që do të thotë se nuk ka asnjë mundësi legalizimi”, - thuhet në reagimin e Ministrisë.
21 Prill 2008