Prokuroria gati kërkesën për ekstradimin e “Shotës” së Haklajve
TIRANË - Organet e Drejtësisë Shqiptare kanë gati kërkesën për ekstradimin nga Suedia të Zylfije Haklajt, e cila u arrestua të mërkurën në qytetin e Goteborgut në Suedi. Sipas burimeve të sigurta, kërkesa për ekstradimin e kësaj të fundit është përgatitur nga Prokuroria e Përgjithshme.
Kërkesa
Kërkesa, së bashku me materialet procedurale, do t’i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Jashtme për t’ia përcjellë me pas autoriteteve suedeze. Zylfije Haklaj, 45 vjeçe, nga Tropoja, figuronte në listën me 10 personat më të kërkuar nga Interpol Tirana. Kjo shtetase është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtësia Shqiptare për vrasje. Gjykata e Tiranës e ka deklaruar fajtore dhe e ka dënuar atë me 25 vjet burg për vrasjen me armë zjarri për motive hakmarrjeje të Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit, si dhe plagosjen e shtetasve Izet Dusha dhe Hysen Biberaj në prill të vitit 2002 në Tropojë. “Shota” e Haklajve u arrestua nga policia e Goteborgut, Suedi, në bashkëpunim me Interpol Tiranën. Në Suedi kjo shtetase përdorte emra të ndryshëm për t’iu shmangur autoriteteve policore.
Ngjarja
Më 2 prill 2002, Rasim Lumneshi u bë viktima e radhës në Tropojë, vendlindja e tij, të cilën e kishte braktisur familjarisht që në vitet ’90, madje kishte kohë që nuk kishte shkuar ta vizitonte. Askush nuk mundet të thotë edhe sot e kësaj dite se pse ai vendosi të shkonte në Bajram Curri mëngjesin e 2 prillit 2002. Lumneshi kishte qenë në Kosovë dhe ishte kthyer prej andej në shoqërinë e disa miqve të tij nga Tropoja. I garantuar prej tyre Rasimi nuk mundi të ishte vigjilent, gjë për të cilën ishte shquar gjithmonë. Kur po shijonte kafen nën shoqërinë e miqve në mes të Bajram Currit, lajmi i ardhjes së tij mbërriti në Kërnajë. Haklajt nuk mund të dërgonin askënd tjetër veç 37-vjeçares Zylfije. Sapo mori vesh lajmin, ajo nuk humbi kohë, por nxitoi të mbante premtimin që pati bërë mbi varrin e vëllait, Yllit. Rreth orës 10:15 minuta Zylfije Haklaj ishte vetëm 10 metra larg tavolinës së Lumneshit. Me kallashnikovin që mbante të fshehur nën pallto ajo hapi zjarr direkt duke qëlluar për vdekje Rasim Lumneshin dhe Ilir Gosturanin, ndërsa mbetën të plagosur Hysni Biberi dhe Kujtim Dusha.
21 Prill 2008