Legisi: “Veprimi është selektiv dhe i paligjshëm”
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ndre Legisi, ka reaguar ndaj veprimit të Inspektoratit të Ndërtimit, punonjës të të cilit janë drejtuar dy ditë më parë për në malin e Dajtit dhe kanë tentuar të heqin antenën e Televizionit Vizion
Plus, sipas një urdhri të lëshuar nga ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. I ftuar në studion e këtij televizioni për të folur pikërisht për këtë çështje, deputeti i LSI-së e konsideroi veprimin e punonjësve
të Inspektoratit të Ndërtimit si flagrant, të gabuar dhe që cenon lirinë e medias. Ndre Legisi ka akuzuar për këtë direkt qeverinë
dhe e ka lidhur këtë çështje edhe me atë çfarë dy partitë e vjetra politike, PD e PS, po bëjnë me reformën zgjedhore, një marrëveshje me anë të së cilës tentohet të vendoset monopoli politik dhe të përjashtohen partitë e tjera. Deputeti
i Lëvizjes Socialiste për Integrim denoncoi faktin se ky veprim i qeverisë është selektiv, pasi në malin e Dajtit ka dhe antena të tjera, që janë vendosur në mungesën e ligjit. “Ata kanë licencuar
disa media dhe kanë bërë shumë mirë, por ndërkohë nuk mundet që me një ligj të pengosh disa media të tjera, të pengosh konkurrencë. Për sa kohë që mediat shqiptare kanë një lloj eksperience të pakët dhe të re, është e domosdoshme që të lejohen të konkurrojnë dhe të falimentojnë normalisht të gjitha ato që s’kanë forca dhe kjo është ekonomia e tregut. Është e njëjta gjë edhe në politikë. Ato shikojnë, të dy forcat politike, që u ka rënë elektorati dhe tani bëjnë një ligj me qëllim që të kufizojnë të drejtën e tjerëve që të ecin. Dhe kështu është dhe me mediat. Ata arrijnë që të bëjnë një ligj, i cili përjashton, mundëson ose kufizon, ose vë nënë kontroll mundësinë e disa mediave, të cilat mund të jenë shumë më të afta të konkurruar në ekonominë e tregut, nëpërmjet veprimeve të tilla”, - tha Legisi, duke theksuar se ky është një veprim i papërgjegjshëm, dhe i qëllimshëm, duke qenë se në malin e Dajtit nuk është vetëm antena
e televizionit Vizion Plus që është e vendosur në kushtet e mungesës së ligjit, por ka edhe antena të tjera.
21 Prill 2008