E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr masiv në Maliq, ndërpritet ndeshja



Dhunë në Kategorinë e Dytë. Epiqendra ka qenë stadiumi i Maliqit, atje ku është luajtur vetëm 53 minuta, pasi më tej gjithçka është kthyer në një arenë boksi. Futbollistët u përfshinë në një përleshje masive, ku sigurisht nuk munguan edhe të gjakosurit nga të dyja ekipet. Pjesa e parë do të përfundonte 1-2 për Delvinën, ndërkohë që vetëm tetë minuta pas startit të fraksionit të së dytë, vendasit do të barazonin shifrat në 2-2. Por, në këtë moment, Diko i Maliqit ka debatuar me dy lojtarë të Delvinës, Myftarin dhe Hakarepin dhe pas këtij momenti kanë filluar edhe grushtet në fushë. Të gjithë futbollistët që ndodheshin në fushë janë përfshirë në këtë mega-sherr ku nuk munguan edhe bankinat respektive. Të dy trajnerët ndërhynë për të qetësuar situatën, por pa mundur që të vënë rregull në skuadrat e tyre. E kthyer në një arenë boksi, kanë ndërhyrë forcat e rendit, të cilat kanë ndarë sherrin në fushë por pa qetësuar situatën në tërësi për vazhdimin qetësisht të takimit. Duke parë që nuk mund të luhej më futboll, pas dhjetë minutash dhune në fushë, treshja e gjyqtarëve vendosi ndërprerjen e ndeshjes në minutën e 53-të kur rezultati ishte i barabartë 2-2. Ky takim pritet të merret në shqyrtim nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit gjatë këtyre ditëve ku veç lojtarëve që nisën këtë sherr edhe klubi i Maliqit pritet të ndëshkohet për mos marrje të masave organizative të një ndeshjeje futbolli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›