E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halili: Humbëm prej gjyqtarëve të Dukës



Gjykim i njëanshëm dhe i dirigjuar nga zyra e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Ky është konstatimi i bërë nga njëshi i klubit bardheblu, Refik Halili, pas ndeshjes së djeshme të zhvilluar në Vlorë. Presidenti i Tiranës ka akuzuar gjyqtarët anësorë të këtij takimi, të cilët sipas tij ndikuan direkt, me dashje, në rezultatin e ndeshjes. “Mua personalisht nuk më pëlqen aspak të merrem me arbitrat, por të paktën sot (dje) ata treguan haptazi që janë të dërguarit e Dukës për të gjunjëzuar Tiranën. E para, ishte rasti i golit të Plakut, por që topi shkoi në rrjetë, pra ishte autogol para se të vazhdonte fatmirësisht aksionin sulmuesi ynë. Më pas, goli i anuluar për jashtë loje po nga anësori Biçaku në pjesën e parë. Po ta kujtoni mirë, ky është gjyqtari që bëri edhe skandalin sezonin e kaluar në Bylis-Flamurtari. Në pjesën e dytë, në rastin e golit të barazimit të Flamurtarit, anësori nuk e pa, ose më mirë nuk dha rivënie në lojë për skuadrën tonë, sepse topi e kaloi vijën e fushës. Në golin e tyre të dytë sulmuesi vlonjat ishte tërësisht jashtë loje, aq sa mund të shihej me sy të lirë pa dashur moviolë fare”, - ka theksuar kreu bardheblu. Presidenti i Tiranës, veç Emiljano Biçakut vë në “bankën e të akuzuarve” edhe anësorin tjetër, Ergin Doda. Sipas tij, në të gjitha ndeshjet e rëndësishme të Tiranës vihet qëllimisht nga federata pikërisht ky anësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›