E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen 2 orë rrugët e Durrësit dhe autostrada

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 20-05-2011 10:41

Durrës- Një numër prej 250-300 vetë kanë marrë pjesë dje në protestën e Partisë Socialiste në Durrës, në kundërshtim të numërimit të votave të pa numëruara nga ana e KQZ-së në Tiranë. Protestuesit janë mbledhur rreth orës 12.00 para Mauzoleumit të Dëshmorëve në qytetin e Durrësit dhe prej aty janë nisur në këmbë drejt Urës së Dajlanit. Në rreshtin e parë të protestuesve kanë qenë deputetët e qarkut të Durrësit të Partisë Socialiste, Gazmir Bizhga, Blendi Klosi, Hazir Gashi, Klodjana Spahiu, si dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, dhe ai i Shijakut, Indrit Buka. Protestuesit kanë mbajtur parulla në duar me thirrjet “Sali Berisha, prano rezultatin”, “Mos prekni votën e popullit”, “Votën e ka sovrani, nuk e ka Ristani” etj. Turma me rreth 250-300 vetë ka vazhduar ecjen në këmbë drejt rrugës që kalon për tek Ura e Dajlanit dhe më pas drejt autostradës. Policia e qarkullimit rrugor mori masa për të lënë të lirë aksin hyrës nga Ura e Dajlanit drejt Durrësit si dhe më pas aksin e autostradës Durrës-Tiranë. Efektiva të shumta policie kanë bllokuar nyjet hyrëse dhe dalëse drejt autostradës, ndërsa qarkullimi i mjeteve është bërë drejt rrugës së vjetër që kalon nga Shkozeti. Protestuesve u është dashur afër një orë që të mbërrijnë në vendin ku ata kanë menduar që të ndalin protestën, pranë mbikalimit të Shkozetit në autostradë. Ata kanë ecur në total rreth 4 km dhe në këtë vend kanë qëndruar në heshtje. Poshtë këtij mbikalimi drejtoria e policisë së qarkut Durrës kishte vënë në gatishmëri efektiva të policisë së rendit, ndërkohë që kanë qenë të pranishëm edhe rreth 20 efektiva të ndërhyrjes së shpejtë. Ndalesa te mbikalimi i Shkozetit ka vazhduar për rreth një orë dhe më pas, në orën 14.00 të gjithë protestuesit e kanë liruar autostradën, nga ku më pas ka rinisur qarkullimi i automjeteve. Në total autostrada ka qëndruar për afro dy orë e bllokuar, duke mos funksionuar asnjë prej akseve të saj, ndërsa rruga e Shkozetit drejt Katër Rrugëve dhe Shijakut ka qenë shumë e ngarkuar për këtë arsye. Gjatë dy orëve të protestës protestuesit nuk janë konfliktuar me uniformat blu dhe çdo gjë është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe të qetë. Edhe pse që në fillim drejtuesit e Partisë Socialiste të këtij qyteti nuk kanë dhënë shumë detaje për organizimin e protestës dhe nëse tubuesit do të marshojnë drejt kryeqytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›