E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjen goma dhe makina te Ura e Mifolit, ja orët e bllokimit

SHKRUAN: Ervin Haruni 20-05-2011 10:38

VLORË- Qindra mbështetës të Partisë Socialiste të Vlorës kanë nisur dje protestat në mbrojtje të votës së tyre, protestë kjo e cila ka zgjatur për afër katër orë, duke paralizuar lëvizjen në aksin kombëtar, por edhe jetën në qytetin bregdetar. Qytetarë vlonjatë së bashku me kryetarët socialistë që kanë fituar në zgjedhjet e 8 majit në rrethin e Vlorës, Shpëtim Gjika e fitues të tjerë të bashkive dhe komunave, të mbështetur edhe nga deputetët socialistë Eltar Deda, Fatmir Toçi, dhe Arben Isaraj janë mbledhur në afërsi të urës së Mifolit. Protestën e tyre e ndoqën forca policie nga drejtoria e policisë Vlorë. Protestuesit janë vendosur në urën e Mifolit, duke bllokuar në këtë mënyrë të vetmen rrugë që të çon në bregdet. Ata janë vendosur në të dy akset ku dy urat, e vjetra dhe e reja në Mifol, lidhin qytetin e Fierit me të Vlorës. Protestuesit kanë hedhur në kor gjatë gjithë kohës parulla kundër Berishës dhe Ristanit. Ata kanë kërkuar të rivendoset drejtësia, në të kundërt reagimi do të jetë edhe më i ashpër.

Bllokimi

Në fjalën e tij deputeti socialist Eltar Deda u shpreh se "Bllokimin e ka bërë Saliu. Në një kohë kur kryeministri Berisha po mban peng demokracinë, ky është vetë hapi i parë i mosbindjes civile. E theksoj, ne sapo kemi filluar”. Ata kanë mbajtur të bllokuar për rreth dy orë të dyja urat e Novoselës, si urën e Vjetër dhe urën e dytë të Mifolit. Protestuesit janë zhvendosur fillimisht për të hapur rrugën duke parë se e makinat e policisë e shumë makina të tjera po vinin drejt urës së re të Mifolit, janë zhvendosur duke deklaruar mbylljen e bllokimit të rrugës e hapjen e saj për makinat e shumta të cilat kishin një varg rreth 5 kilometra nga të dyja anët e rrugës si Vlorë-Fier e anasjelltas, kjo lëvizje taktike ka bërë që makinat së bashku me ato të policisë të shkojnë drejt urës së re të Mifolit, kur ndërkohë në hyrje të saj nga ana e Vlorës është bllokuar sërish, duke i futur kështu makinat në një kurth, ku nuk mund të lëviznin dot më. Për rreth 2 orë të tjera ka qenë i bllokuar aksi i rrugës Vlorë-Fier, ndërkohë që për makinat e emergjencës është lënë e hapur ura e vjetër e Mifolit. Në këtë bllokim të dytë shumë qytetarë e simpatizantë të Partisë Socialiste kanë hedhur akuza të rënda kundra Ristanit dhe kryeministrit Berisha, ndërkohë që shumë të rinj kanë sjell disa goma të përdorura dhe i kanë vënë flakën në mes të rrugës në zonën e urës së Mifolit.

Policia

Në këtë moment policia e qarkut të Vlorës, nën urdhrat e drejtorit të qarkut si dhe të shefit të komisariatit, janë larguar nga turma e cila kishte bllokuar rrugën, duke u stacionuar rreth 800 metra larg protestuesve. Pasi janë djegur gomat, simpatizantë të PS-së kanë sjellë një automjet me targa Vlore, një alfa romeo ngjyrë e kuqe dhe i kanë vendosur zjarrin duke bllokuar kështu plotësisht rrugën nacionale Vlorë-Fier si dhe një re e madhe tymi ka pushtuar tërë zonën ku zhvillohej protesta, e cila ka zgjatur prej orës 12.30 deri më orën 16 .30 ku është vendosur nga drejtuesit politikë si dhe nga deputetët e Partisë Socialiste për zhbllokimin e rrugës nacionale Vlorë-Fier, ndërkohë që me t’u zhbllokuar rruga policia rrugore ka ndërhyrë për të bërë të mundur normalizimin e situatës e disiplinimin e makinave. Të pranishëm në këtë protestë kanë qenë deputetët e Partisë Socialiste Fatmir Toçi, Arben Isaraj, Eltar Deda si dhe të gjithë kryetarët e bashkive e të komunave të rrethit të Vlorës. Qëndrimi për disa orë i bllokuar ka bërë që radhë të gjata makinash të presin në të dy anët e rrugës, duke paralizuar tërësisht qarkullimin drejt dy qyteteve. Policia ka survejuar çdo veprim të protestuesve, ndërkohë që nga ana e drejtuesve është bërë me dije se do të përcillen në prokurori denoncime ndaj personave, duke e cilësuar bllokimin e rrugës të paligjshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›