Fier, 2 mijë protestues bëhen barrikadë në rrugë
FIER- Për më shumë se 5 orë ka qëndruar e bllokuar ura përmbi Vijën e Ngjalës, në hyrje të qytetit Fier. Në krye të demonstruesve ka qenë deputeti Gramoz Ruçi si dhe të zgjedhurit vendorë të 8 majit. Bllokimi ka sjellë radhë të gjata dhe bllokim të aksit kombëtar rrugor që të çon në drejtim të jugut të vendit. Protestuesit kanë vendosur goma në rrugë, duke u vënë zjarrin. Por nuk janë mjaftuar vetëm me kaq, përmbi urë janë hedhur gurë si dhe mbetje të ndryshme përzier me dhé, duke krijuar në dy kahet e urës një barrikadë të pakalueshme. Policia ka qëndruar më shumë se 50 metra larg këtij vendi, duke u përpjekur të shmanget nga çdo incident. Gjatë gjithë kohës protestuesit kanë qenë paqësorë. Ata janë shprehur se nuk do të lejojnë qarkullimin e mjeteve në këtë aks rrugor deri në një afat të pacaktuar. Por ky afat ka zgjatur deri në orën 16.30 të pasdites, në këtë kohë është ndërhyrë për largimin e mbetjeve nga rruga dhe pastrimin e saj prej barrikadës. Protestuesit janë shprehur se do të grumbullohen sërish ditët në vijim. Lëvizja e automjeteve në dy kahet ka nisur rreth orës 17.00, pas një konfuzioni të madh krijuar nga drejtuesit e mjeteve, që kërkonin me çdo kusht të largoheshin nga pritja e stërgjatë prej pesë orësh. Gjithçka nisi rreth orëve të mesditës. Më shumë se 2 mijë demonstrues anëtarë, simpatizantë të Partisë Socialiste si dhe qytetarë të ndryshëm u mblodhën në qendër të qytetit Fier. Siç ishte edhe paralajmëruar një ditë më parë, nëpërmjet njoftimeve dhe thirrjeve për protesta masive nga drejtues të Partisë Socialiste dhe deputetë të saj për qarkun Fier, protesta nisi rreth orës 11.00. Policia kishte krijuar një kordon rreth sheshit qendror, ndërsa policia rrugore devijoi nga bulevardi kryesor lëvizjen e automjeteve Ajo që u vu re ishte prania e deputetëve socialistë si dhe kreut të tyre Gramoz Ruçi. Me demonstruesit janë bashkuar edhe të zgjedhurit lokalë të 8 majit. Marshimi ka nisur nga sheshi qendror në drejtim të daljes së qytetit Fier, për nga kahu i qytetit Lushnjë. Në kor janë hedhur parulla kundër qeverisë Berisha, kreut të KQZ, kandidatit për kryebashkiak për Tiranën, Lulzim Basha, kundër vjedhjes e cenimit të votës.
Deri në dalje të qytetit, në afërsi të Urës së ndërtuar përmbi Vijën e Ngjalës protestuesit kanë ecur të qetë nën vëzhgimin e pandalshëm të forcave policore, këto të fundit nuk kanë ndërhyrë, duke u përpjekur të lëvizin paralelisht me turmën. Protesta ka vijuar më pas me qëndrimin e pjesëmarrësve në urën e Vijës së Ngjalës.