Veriu i Shqipërisë i pakalueshëm për tri orë
LEZHË- Rruga nacionale që lidh veriun e vendit, Kosovën me Shqipërinë e Mesme, është bllokuar për tri orë nga simpatizantë të Partisë Socialiste, të cilët janë udhëhequre nga deputetet e zonës veriore të vendit, Ilir Beqja, Paulin Sterka, Sadri Abazi, Tom Doshi, Gjovalin Kadeli dhe Armando Prenga, si dhe të sapozgjedhurit vendorë të komunave të Shkodrës, Bashkisë së Laçit, Rubikut e Rrëshenit dhe komunave Ulëz. Rreth 500 persona ka qenë numri që kanë dalë në afërsi të rrugës që në orën 10. 30 minuta, ndërsa në orën 11.30 minuta, turmës i janë bashkëngjitur deputetë të Partisë Socialiste në afërsi të kryqëzimit të autostradës Milot-Morinë, në afërsi të kryqëzimit të Fushë-Milotit, ku para tabelës orientues për Kukës e për Shkodër ata kanë bllokuar rrugën. Në orën 12.20 minuta një i sëmurë ka ardhur me ambulancën e spitalit të Laçit, për ta dërguar në spitalin e Lezhës e deputet socialistë kanë ndërhyrë duke hapur rrugën, për t’i dhënë ndihmën pacientit të sëmurë. Para turmës ka folur deputeti Paulin Sterkaj, i cili u shpreh: “Berisha së bashku me Ilir Metën dhe Ristanin, kërkojnë të vjedhin edhe të vetmen të drejtë të shqiptarëve, votën e lirë. Ne nuk do e lejojmë një gjë të tillë, duke marrë parasysh edhe vdekjen tonë. Nuk do lejojmë që gjaku i katër demonstruesve të 21 Janarit, të nëpërkëmbet nga askush”. Ndërsa deputeti Gjovalin Kadeli u shpreh: “i bëjmë thirrje kryeministrit Sali Berisha, të mos luajë me zjarrin, se do digjet vetë brenda”. Në protestë kanë folur edhe mjaft qytetarë. Ndërsa në orën 14.30 minuta e ka marrë fjalën Ilir Beqja i cili i bëri thirrje protestuesve të hapin rrugën dhe të qëndrojnë në kontakte me deputet dhe drejtuesit e Partisë Socialiste nëpër rrethe, për të vijuar edhe në ditën në vazhdim protestat, sapo ata të lajmërohen. “Dhe nëse policia ndërhyn e ndalon qoftë një protestues të kontaktojnë menjëherë me deputetët, pasi ne do jemi në komisarit për të mos lejuar mbajtjen e asnjë protestuesi brenda. Ne do kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit nga Kryeministri dhe Arben Ristani, të cilët në bashkëpunim me Lulzim Bashën e kanë shkelur, në mënyrë të përsëritur. Ne nuk do ikim që Shqipëria të vidhet më nga një Kryeministër ilegjitim. Më pas protestuesit janë larguar paqësisht nga rruga” tha Beqja. Ndërsa në momentin që po zhvillohej protesta drejtimi i makina është devijuar nga ana e policisë në drejtim të Laçit dhe më pas në rrugën nacionale të vjetër, duke mos lejuar krijimin e radhëve të gjata të mjeteve.