Bode: Shqipëria nuk ka shenja krize ekonomie
Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaron se vetëm dërgesat e emigrantëve paraqiten me risk mesatar
TIRANË - Pas publikimit të raportit të FMN-së, ku e përfshinte Shqipërinë në listën e vendeve seriozisht të rrezikuar nga turbullirat ekonomike, ministri i Financave, Ridvan Bode, siguroi edhe njëherë se vendi ynë nuk ka shenja të qarta të kësaj krize.
Duke iu referuar atij raporti, Bode theksoi se, në tre nga katër treguesit e analizuar në raport, Shqipëria shfaqet me rrezikshmëri të ulët. Risku që ka Shqipëria për t'u përfshirë në krizë si pasojë e prekjes së volumit tregtar, investimeve të huaja direkte dhe uljes së ndihmave financiare nga jashtë, vlerësohet të jetë i ulët",- tha Bode.
Sipas tij, i vetmi përbërës i analizuar që paraqet risk mesatar, është ulja e dërgesave të emigrantëve. Më tej, Bode shpjegoi se, kriza, në vetvete ka dy aspekte; atë financiar, që më shumë u reflektua në banka, dhe atë të ndikimit në ekonominë reale. "Shqipëria nuk u ndikua nga vala e parë e krizës.
Për sa i përket ndikimit në ekonominë reale, analizat na bëjnë të mendojmë se nuk do të jemi të prekur, por mund të ketë një ndikim psikologjik në uljen e shpenzimeve nga konsumatorët", - theksoi ministri. Në raportin e publikuar disa ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar e rendiste Shqipërinë ndër vendet seriozisht të rrezikuara nga pasojat e krizës ekonomike.
Sipas tij, për të dalë nga gjendja e vështirë, këto vende duhej të mbështeteshin me një fond prej 125 miliardë dollarësh. Për sa u përket masave të marra për të përballuar ndikimet e mundshme në Shqipëri, Bode theksoi se qeveria, tashmë i ka marrë këto, duke ruajtur si rezervë 200 milionë euro në buxhetin e shtetit dhe me marrjen kredisë prej 250 milionë eurosh, e cila pritet të ketë ndikim edhe në forcimin e monedhës vendase.
Uljen e aktivitetit ekonomik të vendit për muajin janar, Bode e konsideroi si pasojë të uljes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe jo problem të brendshëm.
"Për sa i përket tregtisë së brendshme, TVSH-ja e dy muajve të fundit është 15 për qind më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar, çka tregon se ekonomia vazhdon të ketë ritëm normal", - tha Bode.
"Unë nuk mund të mohoj që, në qoftë se Shqipëria do të përfshihet në vorbullën e krizës, nuk do të ketë pasoja, por mendoj që Shqipëria është ende larg kësaj vorbulle", - përfundoi ai.