E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen 5 firma pirate të ujit

Situata epidemike në Poliçan dhe rrethina të tjera në Berat “aktivizon” firma pirate, të cilat jashtë të gjitha kushteve higjieno-sanitare tregtojnë ujin e pijshëm. 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Ndërmarrja e Ujësjellësit në Berat ka denoncuar skandalin e këtyre firmave, të cilat ndërhynin në rrjetin e Bogovës dhe ua shisnin banorëve të “infektuar” si ujë të pastër. Pas denoncimit të bërë për veprimtarinë e këtyre firmave, strukturat përkatëse u vunë në lëvizje dhe verifikuan në terren situatën. Kështu, gjatë aksionit të kryer ditën e djeshme, pesë aktivitete private të palicencuara u bllokuan në zonën e Beratit. Ato rezultuan se ndërhynin në rrjetin e ujit të pijshëm, duke e tregtuar më pas me shishe jashtë kushteve higjienike. Subjekteve iu bë një kontroll i detajuar në dokumentacion dhe rezultoi se ato nuk ishin të pajisura me licenca. Denoncimi i bërë fillimisht nga Ndërmarrja e Ujësjellësit në Berat, se shumë aktivitete private tregtonin ujë të pijshëm, ka sjellë për verifikim vetë drejtorin e basenit në Fier, Arjan Grabovari. Drejtoria që administron vendburimet e ujit të pijshëm nëpërmjet drejtorit Grabovari, mësohet se ka ushtruar një sërë kontrollesh në aktivitetet që tregtojnë ujë në qytetet Kuçovë, Urë Vajgurore e fshatrat përreth. “Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se pesë aktivitete nëpërmjet boteve mbushin ujë në vendburime të ndryshme dhe e tregtonin atë pa asnjë miratim nga baseni i Fierit, pa asnjë lloj licence dhe jashtë çdo kushti të higjienës”, bënë të ditur burime nga Ujësjellësi. Pas evidentimit të firmave që tregtonin ujë, drejtori Grabovari dha urdhër për bllokimin e aktiviteteve. Atyre u janë bllokuar dokumentacionet dhe pritet që të merren dhe masa të tjera administrative ndaj personave që morën përsipër një aktivitet të tillë të paligjshëm. Problemet e shfaqura kohët e fundit në lidhje me ndotjen e ujit të pijshëm në qytetet Poliçan, Kuçovë, Urë Vajgurore e shumë fshatra, ka bërë që të shfaqej ndjeshëm fenomeni i shitjes së ujit të Bogovës. Pikërisht këtë situatë kanë dashur të shfrytëzojnë edhe këto firma, pasi kërkesa për ujë të pijshëm ishte shumë e madhe. Sidomos për banorët e Poliçanit, pasi Instituti i Shëndetit Publik u sugjeroi banorëve të mos e konsumonin ujin e pijshëm që vinte në çesmat e shtëpive të tyre. Rreth 120 banorë të Poliçanit përfunduan në spital të infektuar nga virusi gastro-enterit rreth 3 javë më parë. Situata alarmoi edhe Ministrinë e Shëndetësisë, e cila çoi në vend për verifikim një grup specialistësh. Pas analizave të kryera rezultoi se banorët e Poliçanit ishin infektuar nga uji i ndotur, rrjeti i së cilës nuk kishte njohur ndërhyrje prej 40 vitesh.

Ndotja e liqenit “zhduket” në shtator
SHKODER – Dhe këtë verë liqeni i Shkodrës do të jetë fytyra më e keqe e qytetit. Era e rëndë që vjen si pasojë e derdhjes në të e ujërave të zeza do të shoqërojë pushuesit këtë sezon, derisa në shtator të nisë zbatimi i projektit për sistemimin e rrjetit të kanalizimeve. Prej vitesh, ky është problemi kryesor për qytetarët dhe vetë specialistët e mjedisit, por asnjëherë nuk ka gjetur zgjidhje. Përgjatë bregut të liqenit, ku shtrihet dhe shëtitorja e qytetit derdhen ujërat e zeza, si pasojë e amortizimit të rrjetit ose se persona të papërgjegjshëm shfrytëzojnë tubacionet e ujërave të bardha për të derdhur aty të zezat. Sipas drejtorit të Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Shkodrës, Engjëll Gjondrekaj, vetëm në shtator pritet të gjendet një zgjidhje, kur do të zbatohet investimi i përbashkët gjerman, austriak dhe zviceran. Ata po punojnë për rikonstruksionin e plotë të stacionit të pompave të rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza të qytetit dhe njëkohësisht, ngritjen e një impianti për përpunimin e tyre, me një vlerë prej 6 milionë euro. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›