Për një vit nuk u paguan 380 orë pune për polic
Gjatë vitit 2009, qeveria shqiptare nuk kishte planifikuar asnjë zë të veçantë në buxhetin e policisë për orët shtesë në punë, kështu që nuk u pagua asgjë, pavarësisht se ishin kryer me qindra shërbime. Në evidencat mujore përllogaritet që një punonjës policie për 12 muaj të vitit 2009 ka konsumuar punë suplementare jashtë orarit të punës mesatarisht 380 orë, e barasvlershme kjo me mbi katër paga mujore, që deri tani nuk janë paguar. Për këtë, nga ana e punonjësve të policisë, nëpërmjet sindikatës, u kërkua që qeveria t’ua jepte këto para, por nuk u realizua asgjë. Për më tepër, në vitin 2009 policia nuk u pagua dhe shpërblye as për performancën gjatë procesit zgjedhor. E orët suplementare të punës janë realizuar përgjithësisht në sigurimin e rendit dhe qetësisë gjatë fushatës elektorale dhe zgjedhjeve në qershor 2009, në shërbime për persona të tretë juridikë dhe fizikë publikë ose privatë (sigurimi i rendit dhe qetësisë në aktivitete kulturore e sportive), si dhe për shkak të mungesave organike në strukturat e veçanta. Siç dihet, qeveria premtoi shpërblim për policët gjatë zgjedhjeve, por deri tani nuk ka akorduar asnjë fond për këtë premtim.
#