Bllokohen 6 makina luksoze, të vjedhura jashtë shtetit
Policia e Tiranës i rikthehet operacionit kundër trafikut të makinave të vjedhura. Ndalohen pronarët e rinj, për të cilët nisi procedimi
Tiranë Një aksion i policisë së kryeqytetit ka hedhur në “rrjetë” gjashtë automjete luksoze të vjedhura jashtë vendit, në shtete si Italia, Bosnja, Çekia dhe Bullgaria. Në kuadër të operacionit të koduar "Vjeshtë 2011", Policia e Tiranës ka bllokuar gjashtë makina të vjedhura, duke ndaluar edhe pronarët e rinj të tyre. Sipas njoftimit të policisë së Tiranës, është bllokuar automjeti “Mercedes Benz” me targa TR 6881 K, që drejtohej nga shtetasi Flamur Doda, 23 vjeç. Kjo makinë u bllokua për shkak se nga verifikimi i bërë në sistemin ASF2 të Interpolit, rezultoi e vjedhur në Itali, më 21 shkurt 2005. Gjithashtu është bllokuar “Volswagen Pasat” me targa AA 910 BB, në pronësi të shtetasit P.D., 53 vjeç, nga Tirana. Kjo makinë rezultoi e vjedhur në Bosnjë, më 05 maj 2010, me targa origjine T16M320 dhe nga intervistimi i bërë rezultoi se ai ia kishte blerë mjetin shtetasit N.O., 35 vjeç, nga Vlora. Policia e Tiranës ka bllokuar gjithashtu automjetin tip “Mercedes Benz” me targa AA 505 BH, pasi rezultoi i vjedhur në Angli më 06 gusht 2006, me targa origjine HT05KFC. Automjeti është futur në territorin e Shqipërisë më 24 tetor 2011, nga shtetasi Lonard Valbona, 27 vjeç, i cili po kërkohet nga policia. Në kuadër të operacionit u sekuestrua automjeti “BMV 730”, me targa TR 4392 I, që drejtohej nga një 19-vjeçar nga Tirana, sepse rezultoi i vjedhur në Çeki, më 26 janar 2004, me targa origjine 2A95401. Nga verifikimet rezultoi se mjeti është regjistruar në emër të shtetasit Y. Shehu, 30 vjeç, nga Kamza. Po kështu u bllokua automjeti “Mercedes Benz” taksi me targa TR 749 A, pasi rezultoi i vjedhur në Bullgari, më 11 qershor 1999, me targa origjine C3980CB. Policia ndaloi për këtë rast shtetasin Ramadan Morina. Një tjetër mjet i sekuestruar ishte “Volswagen Phaeton”, me targa TR 3949 T, i cili në momentin e bllokimit drejtohej nga një 47-vjeçar, lindur dhe banues në Tiranë. Nga verifikimi i bërë në sistemin ASF2 të Interpolit, ky mjet rezultoi i vjedhur në Bosnjë, me targa origjine 478J863. Nga marrja në pyetje u mësua se mjeti i ishte blerë Ermal Gashit, i cili do të procedohet nga Prokuroria. H.Hasani