Vëllai i kryekomunarit të vrarë: Asnjë autor për ekzekutimin e tij
Servet Veseli, i vëllai i Remziut një vit pas vrasjes ka kërkuar zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe shprehet i bindur se ka ndodhur për motive politike
Edhe pse ka kaluar një vit nga vrasja e kryetarit të Komunës Tërthore në Kukës, Remzi Veseli ende nuk ka ndonjë autor apo motiv lidhur me këtë ngjarje të rëndë. Vetëm disa ditë para vrasjes së mistershme ai kishte shprehur dëshirën se do të kandidonte për herë të tretë në krye të kësaj komune. I vëllai i tij, Servet Veseli ka deklaruar se ata si familje nuk kanë pasur asnjë problem dhe vrasja e tij ka ndodhur për motive politike. “Ne kemi vendosur që gjithçka të zbardhet nga shteti dhe nuk kemi ndërmend që të bëjmë vetëgjyqësi. Por organet kompetente duhet të zbardhin sa më shpejt këtë ngjarje, pasi e kanë ata për detyrë të çojnë para gjyqit autorët. Iu bëj thirrje gjithë krerëve të shtetit që të zbardhin sa më shpejt vrasjen e tij”, - ka deklaruar i vëllait. Për të, as Remziu dhe as pjesëtarët e tjerë të familjes nuk kanë pasur asnjë konflikt personal me askënd. Sipas tyre vrasja është bërë për shkak të detyrës së tij si kryetar komunë. 40-vjeçari me profesion mësues, i pamartuar, njihej si një djalë i shkathët dhe me rreth të zgjeruar miqsh e shokësh.
Sipas kreut të PS-së për degën e Kukësit, Ylber Duraku, “edhe një vit pas vrasjes që u dënua nga të gjithë, si nga opozita ashtu edhe pozita, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk kanë mundur të ndalojnë askënd si përgjegjës për atentatin me tre plumba mbrëmjen e 25 tetorit të vitit të kaluar, në prag të shtëpisë ndaj Veselit. Policia thotë se është angazhuar me specialistët më të mirë për të zbardhur motivet e këtij krimi, por gjithçka ka mbetur në suazën e deklaratave. Çështja i ka kaluar Krimeve të Rënda dhe hetuesit më të mirë janë marrë me këtë çështje pa mundur ta zbardhin atë”.
Deklarata e PS-së
“Që nga data e vrasjes e deri me sot, familjarët e Remziut presin me padurim nga strukturat e shtetit që të zbardhin ngjarjen dhe të gjejnë autorët e këtij krimi makabër, që ka tronditur opinionin publik në përgjithësi dhe banorët e Kukësit në veçanti.
Disa herë, zyrtarët më të lartë të PSSH-së, që nga kryetari Rama dhe deri tek drejtuesit lokalë të PS-së në rreth u kanë kërkuar organeve kompetente që të hedhin dritë mbi këtë krim të kryer në derën e shtëpisë. Për të gjithë ne, Remzi Veseli ka qenë përfaqësuesi dinjitoz i rinisë kuksiane, ka qenë një ndër drejtuesit më të aftë të pushtetit vendor në Kukës, familjar dhe njeri korrekt. Remzi Veseli nuk kishte konflikte personale, në detyrën e tij si kryekomunar ka qenë promotor i zgjidhjes së problemeve dhe halleve të banorëve të komunës Tërthore. Heshtja e gjatë por e turpshme e qeverisë tregon paaftësinë e këtyre organeve për të sqaruar çështjen dhe për të qetësuar sadopak familjarët. Në emër të PSSH-së dhe të familjarëve, për të disatën herë u kërkojmë organeve të specializuara të shtetit që të zbardhin ngjarjen dhe të vënë para drejtësisë autorin apo autorët”.