Bllokohen 600 gramë heroinë, kapet i riu
TIRANE-Një 27-vjeçar është vënë dje në pranga nga Antidroga e kryeqytetit, si shpërndarës dhe posedues lëndësh narkotike, pasi është kapur me rreth 200 gramë heroinë në rrugën "Tasim Shehu". Ndërkohë operacioni "Qarku i mbyllur 1", që bëri të mundur arrestimin e Kreshnik Halilajt, nuk ka përfunduar me kaq, deri në arrestimin e personit që e furnizonte me drogë 27-vjeçarin. I arrestuari pasi është marrë në pyetje në polici, ka deklaruar se lëndën narkotike e merrte nga dikush tjetër, i cili e përdore për ta shitur. Policia e ka shpallur në kërkim, por vazhdon të mbajë anonim emrin e tij deri sa ta arrestojë. Ndërkohë në banesën e tij, oficerët e Antidrogës kanë bërë një kontroll ku kanë gjetur edhe rreth 400 gramë lëndë narkotike të llojit heroinë. Por dyshohet se ai ishte informuar për arrestimin e Kreshnik Halilajt, pasi gjatë gjithë ditës së djeshme nuk është kthyer në banesë. Tashmë ai është shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike. Në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua edhe një peshore elektronike, e cila dyshohet se përdorej për ndarjen e drogës.