Eksploziv makinës së parkuar në Tiranë
TIRANE - Një makinë tip "Benz" është hedhur në erë orët e para të mëngjesit të djeshëm në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën "Qemal Stafa", vetëm disa metra larg Prokurorisë së Përgjithshme. Makinës, në pronësi të 50-vjeçarit Arjan Vaipi, e cila ndodhej e parkuar në anë të rrugës, pranë banesës së tij, i është vënë eksploziv, që sipas policisë ka qenë tritol. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka parë që automjeti ishte dëmtuar pjesërisht, por nuk kishte persona të plagosur, apo dëmtime në makinat e tjera që ishin të parkuara afër saj. Ndërkohë është marrë në pyetje pronari i mjetit, Arjan Vaipi, i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt me askënd dhe madje sipas tij gjithçka ka qenë një ngatërresë. "Unë jam një qytetar i thjeshtë dhe përveçse s'kam probleme me askënd, nuk bëj as ndonjë punë që mund t'i hyj në pjesë dikujt. Do më kenë ngatërruar me ndonjë tjetër", është shprehur Vaipi në polici. Ndërkohë policia po heton shkaqet e shpërthimit dhe për gjetjen e autorëve.