U arratis nga policia e Kavajës, kapet në Durrës
DURRES - Ka zgjatur vetëm 24 orë liria e 23-vjeçari që u arratis dy ditë më parë nga qelia e paraburgimit të Komisariatit të Kavajës. Edmond Piraniqi nuk ka mundur t'i fshihet policisë për më shumë se një ditë. Vendndodhja e tij është zbuluar shumë shpejt dhe i riu, që kishte precedentë të mëparshëm penalë, është arrestuar vetëm pak kilometra larg Kavajës. Burime nga policia bënë të ditur se Piraniqi ishte fshehur në një banesë në Durrës, por është zbuluar shumë shpejt dhe është vënë në pranga. Arratisja e tij ndodhi dy ditë më parë kur 23-vjeçari, pa e kaluar një ditë në qeli, pasi ishte shoqëruar për kanosje, ka mundur që të largohej, për të rifituar lirinë. Piraniqi ka përfituar nga mungesa e policit roje, duke dalë nga qelia e izolimit dhe më pas me anë të dritareve ka dalë në pjesën e jashtme të komisariatit, duke u zhdukur pa lënë gjurmë. Polici që në atë kohë ishte roje, por ishte larguar, kur është kthyer ka gjetur të hapur derën e qelisë dhe personi i arrestuar nuk ndodhej më brenda. Më pas ka lajmëruar kolegët, por koha për Piraniqin ka qenë e mjaftueshme sa për t'ia mbathur larg Komisariatit. I arratisuri kishte vetëm një muaj që kishte lënë qelitë e burgut, ku vuante dënimin për vjedhjen e ish-Fabrikës së Qelqit në Kavajë. Por ai kishte edhe precedentë penalë për shpërndarje lëndësh narkotike, ku ishte arrestuar në vitin 2003 me 5 gramë heroinë dhe ishte dënuar. Ndërkohë kësaj here 23-vjeçari ishte arrestuar për kanosje. Në Komisariatin e Kavajës, pas arratisjes së Edmond Piraniqit, kanë shkuar për inspektim oficerë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët kanë marrë në hetim efektivët e policisë që ndodheshin në komisariat në momentin kur ndodhi arratisja. Janë marrë në pyetje dy policët që duhet të kishin nën mbikëqyrje 23-vjeçarin, të cilët rrezikojnë të akuzohen për "neglizhencë në punë", si dhe "abuzim me vendin e punës" në rast se vërtetohet se ka shkelje nga ana e tyre.