Kupa e pavlefshme, 3 klube kanë shkelur rregulloren
Federata tani e bën vërtetë baltë. Në rregulloren e re të aktivitetit futbollistik ka shtuar një pikë, ku thuhet se një futbollist mund të aktivizohet gjatë një sezoni vetëm me një skuadër, por nuk ka parashikuar sanksionet në rastet kur një klub, apo një futbollist e thyen këtë rregull.Përveç kësaj, federata është e para që e shkel këtë rregull, duke lejuar që klube të kampionatit shqiptar të futen në një qorrsokak, të cilin zor se e merr përsipër ta zgjidhë njeri. Vetë drejtuesit e FSHF-së dje nuk kanë ditur të thonë se çfarë duhet të bëhet tani që Dinamo dhe Elbasani kanë aktivizuar lojtarë, të cilët në fazën e parë kanë luajtur në Kupë me skuadra të tjera. “Pika në rregullore është shumë e qartë, një lojtar nuk duhet të luajë në më shumë se në një skuadër në Kupë gjatë një sezoni – ka pohuar sekretari i përgjithshëm Arben Bici. – Tani ky rast do të kalojë në Komisionin e Disiplinës dhe do të shikojmë sesi do të veprohet”. Ai, por edhe asnjë tjetër nuk është në gjendje të thotë se si do të zgjidhet kjo gafë e rëndë. Edhe në ndeshjet e para të këtij turi janë aktivizuar futbollistë që nuk duhej të luanin, por FSHF-ja nuk mori asnjë masë për të respektuar rregulloren, por edhe për t’i paraprirë një skandali të tillë. Institucioni i futbollit justifikohet me faktin që pas ndeshjeve të para nuk ka pasur asnjë ankesë me klubet, por ndërkohë, FSHF-ja dërgon në çdo takim delegatët e saj, të cilët kanë për detyrë të verifikojnë se cilët lojtarë duhet të luajnë dhe cilët jo. Padyshim që kjo është një gafë e rëndë nga ana e FSHF-së, pasi në këtë situatë Vllaznia me të drejtë pretendon se Dinamo ka shkelur rregullat, ndërsa klubi kampion nga ana tjetër bazohet te rregullorja, duke thënë se s’ka asnjë rregullore që e sanksionon.
Vllaznia
Pasi nuk kanë arritur ta marrin në fushën e lojës kualifikimin, si rrjedhojë e humbjes së dy javëve më parë në Shkodër me rezultatin 1-2, Vllaznia kërkon që të kualifikohet për një gabim të ekipit kundërshtar. Menjëherë pas përfundimit të takimit, drejtuesit e klubit shkodran, përmes një deklarate për shtyp, kërkojnë që fitorja në tavolinë t’i kalojë ekipit të tyre e si rrjedhojë edhe kualifikimi. “Klubi i futbollit Vllaznia në lidhje me ndeshjen e sotme, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë Dinamo-Vllaznia, ka konstatuar një parregullsi në lidhje me aktivizimin e futbollistit të Dinamos, Elis Bakaj. Themi parregullsi, se ky lojtar ka luajtur më parë, po gjatë këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë, me një tjetër skuadër që është Partizani. Për këtë arsye, bazuar në nenin 36, pika 25, ku shprehet qartë kjo gjë, dhe më konkretisht ‘Lojtari në Kupën e Shqipërisë ka të drejtë të marrë pjesë në një sezon futbollistik vetëm me një ekip’, mendojmë se aktivizimi i tij ka qenë i parregullt. Pra, është e përcaktuar qartë: vetëm me një ekip. Por futbollisti Elis Bakaj përveçse ka luajtur me Partizanin, luajti edhe me Dinamon në ndeshjen ndaj nesh. Duke qenë kështu, ne kërkojmë zbatimin e rregullores prej Federatës Shqiptare të Futbollit për dhënien e kësaj ndeshjeje Vllaznisë dhe kalimin e saj për në turin tjetër”.
KUPA E SHQIPËRISË
Çerekfinalet
GRUPI A
Dinamo-Vllaznia 0-0 (2-1)
Besa-Shkumbini 0-1 (1-1)
/87’ Ishka (ag)
GRUPI B
Elbasani-Tirana 0-2 (0-0)
/9’ Patushi, 12’ Xhafa
Partizani-Flamurtari 1-0 (0-1)
40’ Capo
(5-4 pas penalltive)