Shkëmbim zjarri në Laprakë, plagosen rëndë 2 komshinjtë
Etleva Delia
Dy persona mbetën të plagosur pas një konflikti me armë zjarri në Laprakë. Gëzim Përbibaj dhe Lazër Ramaj kanë përfunduar në Spitalin Ushtarak dhe njëkohësisht edhe në gjendje arresti për plagosje dhe armëmbajtje pa leje. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orësh 12:15, në rrugën "Gjergj Legisi", në Laprakë të Tiranës. Burime nga policia bënë të ditur se shkak për konfliktin që ka lindur mes dy fqinjëve ka qenë vendosja e një kabulli elektrik nga 32-vjeçari Gëzim Përbibaj, pas një defekti që kishte pasur në linjën që e furnizonte shtëpinë e tij me energji. Ndërkohë fqinji i tij, Lazër Ramaj nuk e ka lejuar, pasi teli që do furnizonte me energji elektrike banesën e Përbibajt, do të kalonte para shtëpisë së tij dhe do t'i rrezikoheshin fëmijët. Ky ka qenë shkaku që mes tyre ka lindur një konflikt i ashpër, që më pas është shoqëruar edhe me armë, duke mbetur të dy të plagosur. Dëshmitarët që kanë qenë në vendngjarje kanë deklaruar për policinë, se mes dy personave që janë plagosur ka pasur mosmarrëveshje edhe më parë, për të njëjtën arsye, pasi vazhdimisht në atë zonë ka pasur probleme me linjën që shpërndante energjinë elektrike.
PLAGOSJA
Në momentin që ka nisur debati mes dy fqinjëve, Lazër Ramaj ka marrë një çifte tip "Shotgan" që e mbante me leje në shtëpi dhe ka qëlluar në drejtim të fqinjit të tij, Gëzim Përbibaj. Në të njëjtën mënyrë i është përgjigjur edhe ky i fundit, me një pistoletë që mbante në brez pa leje. Burime nga policia e Tiranës bënë të ditur se të dy personat kanë qëlluar njëri-tjetrin njëkohësisht në këmbë, duke mbetur të plagosur të dy. Kanë qenë familjarët e tyre, ata që i kanë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale. Ndërkohë policia sapo ka dëgjuar krismat është nisur për në vendngjarje dhe ka marrë deklarimet e dëshmitarëve për ngjarjen. Gjithashtu pasi janë kryer të gjitha veprimet proceduriale, policia ka sekuestruar edhe të dy armët e krimit, çiften "Shotgan", e cila pas verifikimeve ka rezultuar me leje dhe pistoletën tip "TT", e cila ishte pa leje. Më pas një grup hetimor ka shkuar në Spitalin Ushtarak dhe ka marrë në pyetje të dy personat e plagosur, të cilët tashmë janë në gjendje arresti, për plagosje të rëndë me dashje dhe Gëzim Përbibaj edhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë sipas burimeve nga Spitali Ushtarak, gjendja e tyre shëndetësore është mjaft e mirë dhe së shpejti do të lënë pavijonin ku janë të shtruar.