Meta: Do heqim tatimin mbi fitimin dhe do të përgjysmojmë sigurimet
LSI ka hartuar programin për lehtësimin e efekteve të krizës te fasonistët. Kreu i kësaj force, gjatë një takimi në nga industritë e prodhimit të veshjeve me material porositësi bëri publike dy masat emergjente, që sipas tij do të lehtësonin fasonistët nga kriza mbarëbotërore. “Ne shprehim angazhimin tonë për t’i mbështetur me politika konkrete, lehtësuese, dhe favorizuese të gjitha këto biznese në vendin tonë, së pari duke i përjashtuar nga tatim fitimi deri në fund të vitit 2010 dhe së dyti, duke subvencionuar sigurimet shoqërore me 50 % deri në fund të vitit 2011". Të dy këto hapa, do të përbënim një ndihmë direkte për këtë industri. Duhet theksuar se kriza botërore ka ulur shitjet në tregjet e Evropës. Fasonistët, janë direkt të prekur nga kjo kriza, edhe sikur ajo të mos ndikonte drejtpërdrejtë në sistemin shqiptar. Mbyllja e tregjeve ndërkombëtare do të thotë më pak porosi për fabrikat shqiptare, më pak të ardhura dhe në fund më paktë punësuar. Shifrat tregojnë se në Shqipëri në industrinë e fasonit janë të punësuar rreth 100 mijë njerëz. Sipas Metës, LSI-ja është e vetmja parti që ka një program të qartë qeverisës për punësimin në vend. Ai theksoi se këto dy masa pa asnjë diskutim do të kontribuojnë që këto aktivitete, jo vetëm të mos bllokohen sikurse ka ndodhur deri tani, ku prej disa ditësh rreth 50 ndërmarrje të tilla kanë falimentuar, gjë që ka sjellë si pasojë largimin nga puna të rreth 11 mijë punonjësve shqiptarë. “Ne jemi këtu shtoi ai, për të shprehur angazhimin tonë shumë të qartë programor dhe qeverisës për të mbështetur në këtë kohë krize tepër kritike për tregjet evropiane ku këto prodhime shkojnë dhe janë të garantuara për t’u shitur, pasi tani dimë që po bie kërkesa për këtë lloj prodhimi. Por njëkohësisht kjo do të krijonte një garanci për të ruajtur këto tregje, që ne sot i kemi jashtë në Evropë, por njëkohësisht dhe mund të nxisim dhe sipërmarrës të tjerë shqiptarë apo evropianë dhe sidomos ata italianë, që të transferonin aktivitetet e tyre në vendit tonë, gjë që do të sillte rritjen e të punësuarve në vend”. Industrialistët kanë kohë që kërkojnë lehtësi fiskale nga qeveria. Kërkesat e tyre kanë qenë pikërisht lehtësimi fiskal dhe ulja e taksave të punës për të punësuarit. Në përfundim të takimit, Meta u shpreh i bindur se, “këto dy masa kryesore që do të ndërmarrë LSI-ja pas 28 qershorit, do të garantojnë mbrojtjen e vendeve të punës dhe bizneseve sot dhe së dyti do të bëjnë të mundur ruajtjen e këtyre tregjeve, sepse bëhet fjalë për investime afatgjata”.
Masat antikrizë
Tatimi mbi fitimin
E gjithë industria me fason do të përjashtohet deri në fund të vitit 2010 nga pagesa e tatimit mbi fitimin
Sigurimet shoqërore
Për të punësuarit në industrinë me fason do të përgjysmohet pagesa e sigurimeve shoqërore deri në vitin 2011