Kosovë, Qeveria ve alarmin: Vetëvrasjet në rritje
Autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur se numri i vetëvrasjeve në vend ka shënuar rritje. Sipas statistikave të policisë, vetëm gjatë këtij viti, vetëvrasje kanë bërë 20 persona, ndërsa kanë tentuar të vetëvriten 47 të tjerë. Në një konferencë ndërkombëtare shkencore me temën “Drejt parandalimit efektiv të vetëvrasjes dhe vetë-lëndimit në mesin e të rinjve kosovarë”, organizuar nga Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Fondacionin “Together” nga Republika e Sllovenisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u zotua se Qeveria e tij, do të bëjë përpjekje të vazhdueshme për krijimin e kushteve sa më të mira të jetesës konform standardeve ndërkombëtare për të gjithë të rinjtë. “Qeveria e Republikës së Kosovës po bën përpjekje të vazhdueshme që të punojë në ngritjen e një niveli të jetesës më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, e me theks të veçantë për të rinjtë kosovarë”,- tha kryeministri Thaçi. Numrin në rritje të vetëvrasjeve e konfirmuan edhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi tha se Kosova ka nevojë për më shumë institucione të shëndetit mendor. “Duhet të jemi shumë më të njerëzishëm ndaj njëri-tjetrit. Duhet të jemi shumë më të kujdesshëm në zhvillimin institucional të shëndetit mendor”,- u shpreh Gashi. Konferenca u fokusua edhe në përvojat e vendeve perëndimore pёr parandalimin e vetëvrasjeve tek tё rinjtë. Karyn Posner Mullen, drejtoreshë e Zyrës për marrëdhënie me publikun në Ambasadën Amerikane në Prishtinë tregoi se kur ishte një vjeçe, nëna e saj kishte bërë vetëvrasje. “Pas secilit person qëndron një familje dhe pas secilës familje ka gjithashtu miq. Nëna ime bëri vetëvrasje në vitin 1976. Çdo vetëvrasje ka një ndikim shumë të madh. Ajo nuk arriti të shihte sukseset e mia. Nuk është turp të kërkosh ndihmë nëse je në depresion apo ke probleme me substanca të ndryshme dhe këtë duhet ta dijë dhe rinia”,- tha Mullen. Ndërkaq, ekspertë të shëndetit mendor thanë se vetëvrasja, sikurse edhe format tjera të dhunës, mund të parandalohet. Ferid Agani, neuro-psikiatër, konsideron se vetëvrasjet në Kosovë janë bërë një fakt shqetësues. Rajonet më të prekura nga vetëvrasjet janë kryesisht ato që kanë nivel të lartë të papunësisë dhe varfërisë. Mosha e atyre që bëjnë vetëvrasje raportohet të jetë nga 18 deri në 30 vjeç.
7 Maj 2009