E Shtunë, 31 Tetor 2026

Z. Meksi, shko e voto pastaj futu në politikë

Albert P. Nikolla 

Në italisht përdoret shpesh një thënie interesante për të shprehur habinë: “incredibile, ma vero” – “e pabesueshme, por e vërtetë”. Teksa lexoja një intervistë të dhënë nga z. Meksi mbi ripërfshirjen e tij në politikën shqiptare mbeta pa
mend kur pashë, diku nga mesi i intervistës ku tekstualisht thoshte: “Unë, që s’kam votuar që prej 1997-ës,
këtë herë do të votoj …”. Në Europë, ku Meksi dëshiron ta çojë Shqipërinë një person që nuk voton mund t’u nënshtrohet masave dënuese administrative (përfshihen dhe gjobat). Pra të votosh është një detyrë qytetare që duhet përmbushur, madje edhe atëherë kur asnjë nga partitë që janë në lista nuk ta mbushin mendjen me programet e tyre. Duhet votuar kurdoherë dhe sidoqoftë. Është përmbushje e detyrimit demokratik të çdo shtetasi.
U ndala, si fillim, në këtë aspekt të risisë që sjell përfshirja e Meksit në politikën shqiptare për t’u thelluar akoma më tej për një reflektim etik mbi këtë rast. Një person që ka qenë kryeministër për 4 vjet radhazi e që pretendon të futet sërish në politikë në një instancë ku ka ligjbërje dhe vendimmarrje, të japë dëshminë e tij që nuk ka votuar për 12 vjet rresht, është diçka thjeshtë katastrofike. Mungesë totale e edukimit qytetar, mungesë totale e edukimit politik, pjesëmarrës, social, institucional. Baza e një reflektimi etik politik fillon me edukimin e respektit për shtetin (koncepti Sokratik për shtetin si prind) dhe një ish-kryeministër që nuk voton për 12 vjet rresht nuk mund të japë shembull më të keq.
Nga ana tjetër, duke e shikuar me vëmendje këtë qasje të tij në politikë, të vjen të arsyetosh që politika për këtë tip politikani nuk është një shërbim e dedikim total për qytetarët, por një autoreferencë. Autoreferencë, sepse dalja e tij vjen nga një heshtje totale dhe vetëm në një moment kur i “ofrohet”, pa mendoni pak, “vendi i parë në listë”. Pra nuk kemi një personazh që në gjithë këto vite mungesën e tij në arenën politike e ka shoqëruar me një impenjim politiko–kulturor nga larg, nëpërmjet artikujve apo prononcimeve të shpeshta publike. Jo. Ka qëndruar në skutën e vet deri kur erdhi “vendi i parë”. Kemi pra një lloj qasje ndaj politikës që i shërben vetvetes dhe që është bash e kundërta e thelbit të politikës si shërbim ndaj të tjerëve.
Edhe po të flasim për gjendjen në të cilën ky politikan la qeverinë në vitin 1997, çdo arsyetim të shpie në konkluzionin se faji i tij për atë gjendje të mjerë të shtetit ka qenë krejt evident dhe nuk ka asgjë që të përligjë moralisht rikthimin e tij në pushtet. Në këtë kontekst do të doja të sillja qasjen etike të filozofit gjerman H. Jonas, i cili shtjellon principin e përgjegjësisë në politikë. Element i pazëvendësueshëm etik për një politikan të mirë është përmbushja e principit të përgjegjësisë, princip që presupozon faktin se nuk mund të ketë “larje duarsh” dhe për çdo të pabërë në politikë, duhet patjetër të përgjigjesh sipas natyrës dhe masës së gabimit. Një nga format e “pagesës” është edhe mospërfshirja më në jetën politike kur dorëzon një qeveri të shkatërruar totalisht në çdo qelizë të saj. Është një lloj pendese e vetëdënimi moral që sjell një shëndoshje morale të personit që ka kryer një gabim. Por kjo pendesë vjen kur me të vërtetë politikani e ndjen dhe e kupton se çfarë është etika dhe morali politik. Nëse ky politikan nuk e kupton këtë gjë, do të thotë se nuk ka inteligjencën e mjaftueshme për t’u përfshirë në politikë; nga ana tjetër, nëse nuk e ndjen diçka të tillë dhe nuk ka sens pendese, atëherë kemi një politikan jo etik.
Jonas flet edhe për një shndërrim kulturor të konceptit të pushtetit dhe thekson se për një përmbushje të principit etik të përgjegjësisë duhet domosdoshmërish që pushteti të bëjë kapërcimin nga “pushtet mbi” në “pushtet për”. Pra, në pushtet që presupozon shërbimin dhe jo dhunën.
Edhe këndvështrimi nga ku lëvizin kritikat e tij për PD-në janë shprehje e një mosnjohje antropologjike të terrenin kulturor ku luhet politika shqiptare. Nuk mund të bëhen krahasime zhvillimesh politike midis shtetesh që kanë baza kulturore të ndryshme, midis kohërash që kanë veti antropologjike në evolucion e sipër.
Përsa i përket nevojës që ai përmend në intervistë mbi kontributin dhe angazhimin politik të secilit, do t’i sugjeroja, miqësisht z. Meksi, që ky impenjim fillon me përmbushjen e detyrës qytetare për të votuar.
Shpresoj që të mos i bjerë ndërmend, atij që ka kompetencat e duhura, që të ndërmarrë ndonjë masë administrative për moslejimin e z. Meksi për të marrë pjesë në zgjedhje, pasi nuk ka përmbushur që prej 12 vitesh detyrën e tij për të votuar.
Natyrisht, në këtë artikull unë i referohem aktit politik të z. Meksi dhe kjo nuk më pengon të kem respekt për z. Meksi si shtetas i këtij vendi dhe si intelektual, madje mendoj se tek profesioni i fundit do t’i përmbushte më mirë detyrat e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›