E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bllokohen asetet e bankës “Dardania“

17/04/2005  Vonohet procesi i shitjes së aksioneve të bankës te Banka Popullore Puljeze

Puna e papaguar e sipërmarrësit italian, që do të mundësonte shitjen e aksioneve të bankës “Dardania“ te një bankë italiane, ka bërë që asetet e bankës të mbahen të bllokuara nga gjykata. Sipërmarrësi italian M.Aloisi, i qëndron pretendimit të tij se i takojnë 5 për qind të komisionit të shitjes nga marrëveshja e realizuar mes bankës “Dardania“ dhe Bankës Popullore të Puljas. Por banka italiane nuk ka pranuar ta paguaj komisionin dhe kjo ka bërë që Aloisi t’i drejtohet gjykatës. “Gjykata e Tiranës ka vendosur dhe urdhëruar Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluejtshme dhe Qendrën e Regjistrimit të Aksioneve në Tiranë, për bllokimin e pasurive të paluajtshme dhe të aksioneve të kësaj banke“, bëjnë të ditur burime brenda bankës. Kështu duket se urdhri i gjykatës i ka mbyllur rrugën procesit të shitjes së saj, deri në momentin që do të zgjidhet “sherri“ mes italianëve. Sipas sipërmarrësit Aloisi, gjatë vitit të kaluar është ngarkuar nga drejtori ekzekutiv i “Dardania Bank“, Beqir Mezelxhiu, të drejtonte në mënyrë ekskluzive të gjithë procesin e shitjes së kësaj banke në Itali. “Për punën e bërë do të merrja komisionin e akorduar prej 5 për qind, por, pasi drejtuesit e Bankës Popullore Puljeze vendosën ta blenin këtë bankë, ata e harruan punën time dhe shitjen e kryen nëpërmjet të tjerëve“, thotë Aloisi. Kështu, duket se Banka Popullore Puljeze nuk do të mund të blejë dot bankën “Dardania“ deri sa të zgjidhet konflikti, duke lënë pezull një investim prej 5.3 milionë eurosh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›