Roman i shkrirjes ndërkohore
17/04/2005 Shkrimtari Viktor Cenosinaj vjen në romanin “Një copë tokë nën qiell” një libër kulmor i krijimtarisë, një sprovë letrare e përfunduar sidomos në ngjizjen e librit duke shkrirë rrafshe kohore të natyrshme. Romani të mbërthen, në kuptimin e leximit me një frymë, qoftë për larminë rrëfimtare, qoftë për gdhendjen e personazheve kryesorë, Lelo Guramadhi po ashtu për sprovën e stilemave gjuhësore. Libri i fundit i Cenosinajt vendos në qendër përditshmërinë, ku glon dhe përvëlon makthi dhe lumturia gjysmake, ëndrra dhe zgjendrra, humania dhe marrëzia, një gjetje për morinë e librave vetëshkapërderdhura dhe konfigurimin e tipareve. Një realitet letrar interesant që vë në zgrip librat komercialë të grafomanëve të çfarëdollojshëm, si dhe pritjen me freskore admirimi nga media ndaj mediokritetit shkarrashkrues. E veçanta e romanit lidhet me eksperimentimin e sendërtimit të një vepre realiste, që përcjell shpërfilljen dhe kapërcimin e kodeve të mëparshëm të shpërdorimit të kësaj metode në letrat shqipe. Sprova e përzierjes ndërkohore, me një vepër të mirfilltë, ku bashkëkohorja me anarshinë, tmerrin dhe rrëmujën ndërfutet në kërkueshmërinë e largët dhe diku në pranë, në periudhën komuniste, me një performancë më të plotë të kësaj të fundit, ku gjallonte lavdia e turpi, përbuzja dhe krenaria, qëndresa dhe pabesia, një realitet jetësor tronditës, rezulton një zbulesë letrare. Një zbulesë e shprehur me diferenca grafike, të shkrimit linear dhe korsiv duke shëmbëllyer ndërmjetshëm, vjen si befasi e këndshme, e pikëtakimit ndërkohor, ndonëse mëvetësia e secilit hark kohor rrezaton fërgëllimat eksiztenciale të qënies shqiptare. Koha reale e romanit ngërthen dhe projekton aktualitetin pas rënies së diktaturës, e cila bashkë me lirinë dhe dimensionet e munguara nxorri nga “shishja” djajtë që e shpërdorojnë lirinë dhe shpërfytyrojnë njeriun. Duke kundruar, me llogjikën e imagjinuese plagët e realitetit shqiptar si: mërgimin, rezbitën, shthurjen morale, droga, prostitucioni, korrupsioni, humbja e shpresës, pra shënim me lule të ballit eksiztencial të qënies shqiptare, derdhur me një përthyerje letrare të arrirë, autori përndriçon hijet dhe ankthet bashkëkohore. Paraqitja e fabulës në dy pentagrame rrëfimore i jep materies tekstore temporitmikë dhe atmosferë. Dhjetë kapitujt e shkrimit të drejtpërdrejtë, që kanë të bëjnë me kohën reale të romanit, tregohen nga rrëfimtari-autor. Pjesa tjetër, pra shkrimi korsiv, zbulon praninë e rrëfimtarit imagjinar, që afron përtejkohënat. Materia tekstologjike e kësaj sekuence rrëfimore, shumica e lëndës, të mrekullon për mjeshtërinë e tregimtarisë, çka ndonjëherë të fanit njomështinë e rrëfimit të Kristoforidhit, Gurrës, Postolit, Gramenos dhe Kutelit. Thelbi i prozës, sipas Todorov dhe teorive letrare moderne, para së gjithash qëndron në poetikën e rrëfimit. Niveli i pentagramit rrëgimor të ofruar në roman krejt i ndryshëm nga romanet kompjuterike, telefonike, seksologjike, mediatike të botuara në ndërkohë të lë shijen e një shansi për t’u lëvruar dhe letërsia serioze. Pikëpërputhjet kohore, sipas linjave subjektore të shtjelluara, megjithëse vijnë me kërcitje koherence, nga fundi i romanit e shmangin rrëfimtarin e dytë, gjë që funskionalizon dhe mbingarkon shkrimtarin rrëfimtar. Vlerë e prekshme e romanit është edhe konturimi i personazheve, vecmas heroi kryesor Lelo Guramadhi, sic e portretizon autori: “…Një kockë e fortë, strall i vërtetë, një burrë që nuk i kishte bërë syri tërr nga tre burgjet radhazi” etj të mbetet në mendje si urë ndërlidhëse e kohërave të integruara në roman që mbërrijnë deri në fillesat e themeleve të fshatit Guramadh, për trimëritë në luftën botërore, e sidomos për lidhjen shpirtërore me pronën, punën dhe vendlindjen. Tipizimi dhe karakterizimi i personazhit realizohet në llogjikën e imagjinares së ndërthurur me konkreten, gjë që e bën më të prekshëm si individ. Po me këtë optikë kundrohet Anifja, bashkëshortja, nipat e tij, ku veçohet Arbri për kapërcimin e sprovave tjetërsuese. Kënaqësi të shkakton edhe përkujdesja ndaj fjalës, pa stisje e zbukurimore, gurëmëdhenjtë, rrepamadh, ngrënëtores, gjakrrjedhjen, rrobëmadhe, gjimbajtëse etj që realizojnë atë çfarë sugjeronte dikur Elioti për poetët dhe shkrimtarët ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës. Por të gjitha këta e veçanërisht për sprovën, të shkrirjes ndërkohore romani “një copë tokë nën qiell” është ngjarje për shkrimtarin e dhjetra librave për fëmijë e të rritur, fituesin e çmimit letrar të MKRS për vitin 2003, padyshim shënon prurje në lëvrimin e prozës së pas viteve të ’90-ës.