Bllokohen dosjet e lejeve të të dënuarve gjatë fushatës
BURREL/ HASAN PASHA
Prokuroria e Burrelit bllokon dosjet e lejeve të dhëna nga ana e burgut të këtij rrethi, për të dënuarit gjatë fushatës elektorale të vitit të shkuar. Burime të sigurta informacioni i thanë dje gazetës "Panorama" se me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme kanë nisur hetimet mbi çështjen e lejeve të të dënuarve për ditët e fushatës zgjedhore të 2009-ës. "Prokuroria e Përgjithshme ka urdhëruar zbardhjen e të gjitha lejeve të dhëna gjatë vitit 2009, sidomos gjatë muajve maj-qershor", thanë burime pranë organit të akuzës. Ka mjaftuar kallëzimi i Partisë Socialiste se shumë të dënuar janë dërguar me leje pranë familjeve të tyre në prag zgjedhjesh, ose kanë bërë fushatë në zgjedhjet e fundit politike që edhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Mat të sekuestrojë prej një jave të gjitha dosjet e lejeve të të dënuarve të këtij institucioni. "Kanë nisur hetimet për zbardhjen e të gjitha lejeve të dhëna për vitin 2009, por veçanërisht ato janë përqendruar në lejet e dhënë gjatë 45 ditëve të fushatës elektorale. Nga hetimet e para mësohet se një numër i konsiderueshëm të dënuarish, madje edhe persona që nuk u lejohej t'iu jepej leje, janë dërguar në vendlindje, pranë të afërmve apo shtabeve elektorale të kandidatëve për deputetë", pohuan burime të rezervuara pranë Prokurorisë së Matit. Mësohet se informacionet e para do t'i vihen në tavolinë Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, ndërsa vetë përfaqësuesit e organit të akuzës në Burrel nuk bëjnë të ditur dyshimet e para të tyre. "Porosia" e Ramës synon në zbardhjen e të vërtetës për lejet e dhëna në kundërshtim me ligjin, rregulloren e burgjeve dhe shfrytëzimin e këtyre personave për qëllime politike. Pritet që rezultatet e para të hetimeve të dalin sapo të grumbullohen dhe të verifikohen procedurat e dhënies së lejeve. Burgu i Burrelit hyn në kategorinë e institucioneve të sigurisë së lartë, për shkak të numrit të madh të të dënuarve për vepra të rënda penale. Pak kohë pas zgjedhjeve, ish-drejtori i këtij burgu, Shkëlqim Gjoçuka, deklaroi se vetëm 12 të dënuar u dërguan me leje gjatë muajit qershor 2009. Sipas tij, në ato raste ishin zbatuar të gjitha normat ligjore dhe nuk ka pasur abuzime, as nga administrata e burgut dhe as nga vetë të dënuarit. Madje, në deklarimin e tij në atë kohë, Gjoçuka deklaroi se as subjektet politike dhe as kandidatët për deputetë nuk kishin paraqitur ankesa në lidhje me lejet e të dënuarve, duke u shprehur se dhënia e lejeve vendoset nga një komision i posaçëm. Gjatë ditëve të para të qershorit u dhanë 9 leje për raste fatkeqësish apo gëzime familjare, ndërsa 3 të tjera për sjellje të mirë në burg. Gjoçuka bëri të ditur se nuk janë dhënë leje pas datës 20 qershor. Tashmë i mbetet grupit hetimor verifikimi i plotë i dosjeve, pasi objekt i tij është edhe muaji maj i vitit të kaluar.
PS: Të dënuar, përfituan leje speciale për zgjedhjet
Partia Socialiste menjëherë pas zgjedhjeve të 28 qershorit denoncoi Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve se pajisi me leje speciale 32 të dënuar për krime të rënda vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të cilët sipas saj kanë bërë presione në zonat e tyre zgjedhore. Lista e të burgosurve që morën leje gjatë zgjedhjeve i është dërguar nga socialistët kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidentit të Republikës Bamir Topi, që ta shqyrtojë dhe të marrë masa për ata punonjës të drejtësisë që kanë ndikuar në dhënien e këtyre lejeve. Në disa prej rasteve është ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike mbi individë apo familje të veçanta që dihet se do të votonin kundër Qeverisë.