Minatorët: Berisha largohu
Në vijim të protestave të organizuara nga Partia Socialiste, dje në qytetin e Përrenjasit banorë të tij ishin në protestë, ku merrnin pjesë qindra ish-minatorë, të papunë, pensionistë, të rinj dhe të reja si dhe përfaqësues të pushtetit vendor të bashkive Përrenjas dhe Librazhd. Deputeti i Partisë Socialiste për Librazhdin Taulant Balla në fjalën e tij akuzoi kryeministrin Sali Berisha se ai “po varfëron çdo ditë shqiptarët përmes faturave të dritave, rritjes marramendëse të çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve bazë. Sali Berisha po vjedh çdo ditë shqiptarët përmes korrupsionit në çdo sektor publik”. Në fjalën e tij përpara protestuesve deputeti Balla u shpreh se edhe shtatë ditë na ndajnë nga 30 Prilli, dita e fillimit të çlirimit të zgjidhjeve për shqiptarët. Prandaj ju bëj thirrje të gjithëve të marshojmë së bashku drejt Tiranës më 30 Prill. Në këtë protestë merrte pjesë edhe kryetari i sindikatave të minatorëve Fiqiri Xibri.