Meta: Po njihet progresi për liberalizimin e vizave
Në përfundim të Ministerialit të NATO-s, mbajtur në Estoni, zëvendëskryeministri njëherësh Ministri i Jashtëm, Ilir Meta tha për mediat se Shqipërisë po i njihen arritjen në procesin e liberalizimit të vizave. Meta foli për takimet dhe rolin e Shqipërisë brenda aleancës së NATO-s, por që në takimet me homologët e tij, ministri shqiptar ka prekur edhe çështjen e liberalizimit të vizave. "Mund t'ju them se kam gjetur një gatishmëri të plotë dhe në rritje, për të marrë sa më shpejt vendimin e duhur për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, pasi të gjithë kanë bindjen se Shqipëria ka bërë një progres shumë të mirë, për të përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit të Bashkimit Evropian. Pra, të jeni të bindur se jemi në një proces i cili avancon jo çdo ditë, por çdo orë", tha Meta. Ai u takua në Estoni edhe me Ministrin e Jashtëm Plotësues të Greqisë, z. Dimitris P. Droutsas i cili u shpreh se mbështet liberalizimin e vizave për shqiptarët. "Mendoj se hapi tjetër shumë i rëndësishëm në këtë proces është liberalizimi i vizave për Shqipërinë. Ne e kemi thënë tashmë që qytetarët shqiptarë do të jenë përfituesit e parë nga ky proces integrues dhe në këtë kuadër ju do të shihni se Greqia e mbështet këtë proces dhe shpreh bindjen se do të bashkëpunojmë ngushtë", tha ministri grek. Meta mori mbështetje edhe nga homologu francez, ndërsa rezervoi një takim të zgjeruar edhe me Ministrin e Jashtëm të Estonisë. "Shqipëria ka demonstruar në këtë vit të parë të anëtarësisë së saj në NATO se është një kontribuese dhe anëtare e denjë e Aleancës. Kjo do të konfirmohet edhe gjatë vizitës që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Anders Fogh Rasmussen, do të realizojë javën e ardhshme në Tiranë", tha Meta në konferencën për shtyp.