E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa më 1 maj, PD miting për herë të parë te “Nënë Tereza”



Për herë të parë, Partia Demokratike fton simpatizantët e saj në një miting që do të organizohet në sheshin "Nënë Tereza". Ashtu siç është paralajmëruar, në datën 1 Maj, Qeveria do të organizojë një festë për ditën e punëtorëve. 1 Maji, jo vetëm që festohet për herë të parë nga të djathtët në Shqipëri, por ai do të festohet në sheshin i cili prej më se 20 vitesh është rezervuar për mitingjet e së majtës. Punimet në sheshin "Skënderbej", por edhe protesta e paralajmëruar 24 orëshe e opozitës, që do të mbahet para Kryeministrisë, ka detyruar organizatorët e koncertit që të zhvendosen te "Nënë Tereza". Mësohet se organizimi i koncertit festiv është drejt fundit. Në të kanë konfirmuar pjesëmarrjen disa nga artistët më të njohur në vend. Koncerti do të nisë në orën 11 të paradites, dhe në të do të performojnë artistë të tillë si Elita 5, çiljeta, Soni Malaj etj. Në skenë do të marrin pjesë artistët, të cilët shoqëruan prej mëse 1 muaj PD-në në fushatën elektorale të 28 Qershorit. Por në këtë koncert do të marrë pjesë edhe Eneda Tarifa, këngëtarja e cila është edhe anëtare e LSI-së dhe anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ende nuk mësohet nëse do të ketë këngëtarë të huaj në këtë koncert, por Ministria e Kulturës nuk do të organizojë gjë tjetër përveç këtij koncerti në datën 1 Maj. Nga ana tjetër, në datën 30 prill, opozita do të nisë protestën e saj. Organizatorët e kësaj proteste kanë deklaruar se ajo do të jetë 24-orëshe. Protestuesit pritet të mblidhen pasditen e datës 30 prill para Kryeministrisë dhe do të qëndrojnë aty gjithë natën, madje edhe në orët e mëngjesit, kur vetëm disa qindra metra më tutje, simpatizantët e Qeverisë do të mblidhen për të dëgjuar koncertin. Ndërkaq në mediat vizive është shfaqur spoti televiziv, i cili fton qytetarët të marrin pjesë në këtë koncert festiv. Qeveria ka ftuar qytetarët në emër të procesit të integrimit dhe Shqipërisë evropiane. "T'i themi po Shqipërisë evropiane", thuhet në spotin e lançuar në media. Ende nuk mësohet nëse drejtuesit e maxhorancës do të flasin para qytetarëve në këtë koncert. Gjithsesi, prania e të njëjtëve artistë të fushatës elektorale në koncert, do të shoqërohet edhe me këngët himn të fushatës së fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›