E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati, Rama: Pas hapjes së kutive



Aristir Lumezi / Piro Nase

Kryetari i PS Edi Rama iu përgjigj vetëm dje ftesës së kryeministrit Berisha për debat politik me të. Për kryesocialistin ky debat mund të zhvillohet vetëm pasi të jenë hapur kutitë e votimit. “Sfidat kanë radhë. Zoti Berisha është sfiduar prej 10 muajsh që të hapë kutitë që mban mbyllur. Sapo të hapë kutitë, unë do të pranoj të debatoj me të ku të dojë dhe kur të dojë. Sepse vetëm hapja e kutive e çliron gjykimin e popullit me votë, ndërsa kur populli nuk është i lirë të gjykojë përmes votës, s’ka debat, por ka përballje mes tij dhe pushtetit të grabitur”, u shpreh Rama dje nga selia rozë gjatë një konference për shtyp gjatë së cilës u përqendrua tek domosdoshmëria pse qytetarët duhet të dalin në protestën e 30 prillit.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në Forumin për Median, organizuar nga “La Gazzetta del Mezzogiorno, kreu i Qeverise shqiptare, Sali Berisha i ka komunikuar Ramës, i pranishëm në Forum, që akuzat politike nuk duhet të jenë pjesë e këtij forumi, por pjesë e një debati televiziv. “Unë mendoj që këto çështje nuk duhen të jenë pjesë e forumeve të tilla. Jam i gatshëm të përballem me ty për çdo çështje, pasi respekti im për opozitën është i palëkundur”, u shpreh në atë forum Berisha.
Protesta
Kreu i opozitës Edi Rama, ka vijuar turin e takimeve në jug të vendit në vigjilje të mitingut të madh të 30 prillit në Tiranë. Në Gjirokastër Edi Rama është ndalur tek domosdoshmëria që paraqet aksioni i madh politik i opozitës për transparencën e zgjedhjeve të manipuluara nga Sali Berisha vitin e kaluar. “Nuk është një sherr midis dy palësh për disa kuti, por është një betejë midis dy botësh, botës së re që ne duam të ndërtojmë për një Shqipëri të re ku të gjithë të jenë të lirë dhe të barabartë përpara ligjit e mundësive që jep demokracia dhe botës së vjetër ku kërkojnë të marrin peng me zgjedhje të vjedhura me ekonomi të kapur nga interesat e një grupi njerëzish dhe të rrënuar dita-ditës për interesat e këtij grupi njerëzish dhe me një shtet që po zhbëhet çdo orë përpara syve tanë pa gjykata që të mundë të garantojnë lirinë dhe barazinë para ligjit”, u shpreh Rama. Kreu socialist tha se kryeministri Berisha jo vetëm nuk mbajti premtimin për hapjen e vendeve të reja të punës, por nxori me mijëra të papunë. “Me votat e vjedhura Sali Berisha nuk po hap 160 mijë vende pune që premtoi, por deri më sot para një viti ka bërë të mbyllen mbi 100 mijë vende pune dhe tre muajt e fundit 71 mijë shqiptarë e kanë humbur vendin e tyre të punës. Me votat e vjedhura Berisha, nuk po i liberalizon vizat siç premtoi që do ta bënte në korrikun e vitit të kaluar, por vazhdon ta mbajë Shqipërinë peng. Dhe shqiptarët të pamundur të lëvizin lirshëm as këtë verë fatkeqësisht, me vota të vjedhura Sali Berisha, nuk u krijoi mundësinë të rinjve që dalin nga shkolla që të mund të kenë nesër një punë”, tha Rama. Sipas tij, të gjitha krizat kanë lindur nga vjedhja e votave të 28 qershorit. Me votat e vjedhura Sali Berisha jo vetëm ua rriti çmimin e dritave dhe të ujit, edhe pse tha për vite të tëra se sa të jetë ai aty, kurrë nuk do ta rrisë por sot, po çon nën derë fatura që janë disa herë më të larta se sa e përmban ligji”, tha Rama. Në tubimin e Gjirokastrës i cili vinte pas takimeve në Përmet e Tepelenë, kanë folur edhe deputetët socialistë prezentë Arta Dade e Et’hem Ruka si dhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule.

Meta: Rama i shmanget debatit

Ministri i Jashtëm, i pyetur dje nga mediat sesi e komenton deklaratën e bërë pak minuta më parë të Rames, rreth ftesës së Berishës për një debat publik Rama-Berisha, Meta mendon se Rama u shmanget debateve. “Do të thotë që Rama i shmanget debatit”, tha shkurt Meta. Selia rozë reagoi menjëherë pas deklaratave të Metës. Deputetja Olta Xhaçka tha se Meta duhet t’i tregojë shqiptarëve se pse shqiptarët nuk mund të lëvizin as këtë verë pa viza. “Për sa i takon transparencës së zgjedhjeve, ku zoti Meta është frenues, frika e tij është e kuptueshme. Sikur vetëm 5 kuti të hapeshin në Ndroq, zoti Meta nuk do ti duhej më as Sali Berishës”, deklaroi Xhaçka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›