Pëllumbi: Të majtët nuk po përfaqësojnë më shtresat e varfra
Aristir Lumezi
Në ditën e librit, Universiteti “Marin Barleti” organizoi promovimin e librit të fundit të profesor Servet Pëllumbit, “Filozofia e aktualitetit”. Duke futur auditorin në klimën e zhvillimeve politike në vend, veçanërisht për çështjet e moralit, filozofisë dhe të globalizmit, profesori u tregua i gatshëm t’u përgjigjej dhe pyetjeve të gazetarëve për ato fenomene politike që po ndodhin në Shqipëri. Sipas tij, e majta, e grumbulluar si bashkim individësh, po humbet lidhjet me shtresat e varfra që ka përfaqësuar tradicionalisht, pasi përfaqësuesit e saj ose kanë pak lidhje me to, ose i shohin njerëzit si vota dhe jo si qenie sociale për t’u ofruar atyre programe dhe politika sociale që u interesojnë. Profesori e konsideron naivitet idenë se në 30 prill me protestën e opozitës do rrëzohet Qeveria, do zhduket korrupsioni. Sipas tij, protestat janë demokratike, por ndërrimi demokratik i qeverive bëhet vetëm përmes votës dhe zgjedhjeve.
Gjeni shkak pse e majta sot nga një forcë me programe të qarta, është kthyer në një forcë jo programatike?
Duhet të biem dakord për disa koncepte. Koncepti i majtë dhe i djathtë ka evoluar. Edhe në këtë sfond të përgjithshëm që fola edhe e majta edhe e djathta duhet të gjejnë terren e të përshtaten. Po nuk u përshtatën mbeten arkaike. Por nëse rendin shumë dhe nuk mbajnë parasysh rrethanat konkrete, izolohen dhe dalin jashtë nga skena. Pra në rastin konkret, ato duhet të jenë të lidhura aq shumë me njerëzit sa të mos shkrihen në turmë, por duhen të jenë të lidhura sa të mos shkëputen dhe të izolohen. Në rastin konkret tek ne çfarë ndodh? Ai që është i majtë të duket sikur ka turp të thotë që është i majtë. Pse ndodh kjo? Sepse nuk i referohet atyre shtresave dhe kategorive që janë të majta dhe kërkojnë një program të majtë nga vetë gjendja e tyre social- ekonomike. Nëse partinë e ke një parti në përgjithësi apo rreth një grupi njerëzish dhe pa referenca në hapësirat sociale, atëherë ajo nuk është parti në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nëse t’i u drejtohesh zgjedhësve, votuesve, dhe jo shtresave që kanë nevojë për programin tënd, atëherë vetvetiu mos kërko të të votojnë, mos kërko që të të mbështesin. Që të të mbështesin duhet t’i mbështesësh, që të të mbështesin duhet t’u japësh ato ide dhe zgjidhje që kërkojnë ata, në radhë të parë dhe pastaj zgjidhje për gjithë të tjerët, pasi nëse merr pushtetin, ti do punosh për të gjithë popullin jo vetëm për ata që të kanë votuar.
Konkretisht pse po ndodh ky fenomen?
çfarë ka ndodhur realisht? Me sistemin e ri zgjedhor, tani mbetën dy parti, të tjerat janë kot, sepse nuk përfaqësohen. Nëse shohim anëtarësinë e regjistruar të këtyre partive, vetëm 3-4% e zgjedhësve janë anëtarë partie. Me këtë sistem zgjedhor, që kryetari dhe partia vendos se cilët do të jenë deputetët, kuptohet që 3-4 % e partisë merr 97% të parlamentit dhe, elektorati do të vijë një ditë të ndjehet i papërfaqësuar, siç edhe po e ndjen. Dhe atëherë kërkon që partia ose të kthehet prapa dhe të bëhet më e majtë nga ç’është sot, ose të heqë dorë fare dhe të mos kërkojë që njerëzit të mos votojnë sipas përkatësisë partiake. Dhe ne kjo na ka ndodhur; nga këto zhvendosje, nga këto paqartësi të partive, ne na ka ndodhur që në shumë votime njerëzit të votojnë në formë proteste, votojnë kundër partisë kundërshtare, hedhin një votë proteste, votojnë kundër një politikani dhe jo të votojnë për veten e tyre. Kur partitë tona të arrijnë t’u thonë zgjedhësve “Votoni për veten tuaj”!, atëherë ne do bëjmë një hap të madh në fushën e demokracisë.
Si i komentoni zhvillimet e së majtës dhe aksionin e saj politik. Si do komentoni protestat e së majtës që kërkojnë largimin e Qeverisë?
Unë për vete i përmbahem pikëpamjes se protestat janë pjesë e demokracisë, janë lëvizje masive e demokracisë direkte dhe si të tilla ato kanë vlerën dhe rëndësinë e tyre. Ato mbartin mesazhe të rëndësishme për ata që duan të dëgjojnë dhe dinë të vlerësojnë demokracinë direkte dhe masive. Madje një nga veçoritë teknologjike të sotme është që brenda një kohe shumë të shkurtër mund ta shndërrosh tërë botën në një auditor, gjë që nuk ka qenë e mundshme më parë. Teknologjia e re na bën të mundur që përmes internetit, televizionit kemi mundësi që të shkëmbejmë mesazhe masive në të njëjtën kohë. Por vlerësimi pozitiv i protestës bëhet brenda kornizës demokratike dhe nuk është çështje dëshire personale. Protestat kanë limitin e tyre, mbartin një mesazh të caktuar, bëjnë një presion demokratik të caktuar, por nuk mund të shtrohet çështja që me një protestë dhe manifestim të përmbysësh dhe të zëvendësosh një Qeveri. Atëherë nuk je në demokraci. Demokracia, në rastin konkret, ndërrimin e qeverive e bën mbi bazën e votës. Nëse ti e bën këtë presion për të shoqëruar kërkesën për zgjedhje të parakohshme, jam dakord. “Ne kërkojmë zgjedhje të parakohshme sepse s’mund të qeverisemi më në këtë mënyrë”! Se krizat pikërisht këtë kanë, krizat lindin atëherë kur ata që qeverisen nuk duan të qeverisen nga politikanët e vjetër, por dhe politikanët e vjetër dhe institucionet e vjetra nuk qeverisin dot më tej dhe në çdo hap krijojnë konflikte të reja. Atëherë në këtë rast kriza kërkon zgjidhje dhe zgjidhja është vota. Por të shtrosh, ashtu siç dëgjova para ca ditësh nga ndonjë politikan, i së majtës fatkeqësisht, që “në 30 prill merr fund Qeveria, merr fund korrupsioni”, është naivitet.
Sa mund të rrezikojnë krizat rendin social dhe si e shikoni idenë e mosbindjes qytetare?
Në mijëvjeçarin ku kemi hyrë thelbësore është siguria sociale. Njerëzit kanë shumë nevojë për të. Bizneset dhe të pasurit duhet të mos lakmojnë atë që thuhet rritjen e vazhdueshme ekonomike, pa pyetur për asgjë, por ti japin mundësi të jetojnë edhe atyre që nesër mund të ngrihen kundër tij, nëse nuk do që të vijë një epokë tjetër revolucionesh, nëse nuk do që konfliktet sociale të marrin përmasa të tilla si ajo që thuhet sot, mosbindja qytetare. Ka shembuj të shumtë të mosbindjes qytetare, në Greqi, Francë e gjetkë. Para dy vjetësh, mosbindja qytetare në Francë, brenda një nate shkaktoi djegien e 20 mijë makinave. Atëherë unë si biznesmen do të kërkoj një regjim dhe një sistem që të më mbrojë dhe unë të zhvilloj biznesin në mënyrë të ligjshme dhe jo në mënyrë klienteliste.
Sa përqindje moral shikoni sot në të majtën shqiptare kur shohim kundërshtarë të dikurshëm djathtas dhe majtas të bashkuar në një koalicion pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe ç’mund të pritet nga ky bashkim?
Në radhë të parë, nëse unë do ti vija titullin librit tim “Politika është moral” do të bëja gafën më të madhe teorike që mund të bëhej. Politika nuk është moral, s’mund të vihet shenjë barazimi, është politikë, është e mbështetur mbi disa programe, ide dhe zgjidhje konkrete. Ndërsa morali në thelbin e vet është mbarënjerëzor, është universal. Kur unë them Politika do moral, kam parasysh që morali të bëhet politikë, apo politika moral, secili të ruajë vendin e vet. Në librat e mi, unë kërkoj që politika dhe morali të jenë fqinj të mirë dhe të respektojnë njëri- tjetrin. Kjo është ideja qendrore e librave të mi. Për mua morali i kuptuar në thelbin e vet është kushtetuta e së ardhmes.
Libri i ri “Filozofia e aktualitetit”
Në librin e tij të ri, i dhjeti që nga viti 2000, “Filozofia e aktualitetit” shënime dhe analiza, profesori i socialistëve, tregon se sa me kujdes e ndjek situatën dhe debatin politik në vend dhe pse nuk është “prezent” në politikën aktive. çdo situatë mbahet shënim dhe analizohet në kohë, ndërsa qëndrimi parimor në këtë analizë vërtetohet sot, disa muaj pasi ngjarjet kanë dalë nga aktualiteti i ditës. Siç shprehet dhe vetë në Hyrje të librit, Pëllumbi thotë se “lexuesi do të gjejë një formë të filozofisë së aktualitetit, që bazohet në vlerat e dialogut, në aftësinë intuitave për të rrokur aktualen, si dhe në shpirtin luftarak të debatit dhe në vlerën instrumentale të analizës së dilemave të ditëve tona”.