Sife Albania, konkurrojnë 9 universitete për çmimin e madh
Konkursi Kombëtar i Studentëve në Sipërmarrjen e Lirë (SIFE) zhvillohet për të disatin vit radhazi dhe synon të nxisë të rinjtë në sipërmarrjen e lirë. Konkursi mblodhi dje 300 pjesëmarrës nga 9 universitete, si studentë, pedagogë dhe pjesëtarë të biznesit. Në fjalën e tij, Topi u shpreh se "si President i Republikës së Shqipërisë, i një shteti me moshë mesatare tepër të re, ndihem krenar pikërisht për energjinë dhe gjallërinë që kanë të rinjtë tanë". Në lidhje me projektet u shpreh se "vendi ynë po kalon një periudhë të gjatë tranzicioni, periudhë e cila duhet të kapërcehet nëpërmjet krijimtarisë dhe risive në fushën e arsimit dhe të biznesit nga të gjithë aktorët që bëjnë pjesë në këto dy fusha jetike për një shoqëri që kërkon të zhvillohet". Ekipet më të mira të 9 universiteteve prezantuan projektet e tyre të biznesit. Më i miri prej tyre zgjidhet gjatë këtij muaji dhe merr pjesë në konkursin e madh të Sife-Word që zhvillohet këtë vit në Singapor. Një vit më parë Shqipëria u përfaqësua nga Fakulteti Ekonomik i UT-së dhe zuri vendin e tretë në botë për projektin më të mirë të studentëve në fushën e biznesit. Studentët që punojnë në grup marrin nga 3 mijë euro kur shpallen fitues. Studentëve garues u uroi suksese edhe Presidenti, i cili në fund të fjalës tha se "u uroj suksese gjithë ekipeve dhe falënderoj për kënaqësinë që na dhuruat vjet në konkurrimin e Nju-Jorkut, ku Shqipëria u rendit e treta mes 44 vendeve pjesëmarrëse".