E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligj "amerikan" për dhunën në familje

Dhuna në familje ka qenë një ndër problemet kryesore të policisë, sidomos gjatë tri viteve të fundit, duke sjellë edhe krime të rënda. Pothuajse çdo ditë janë regjistruar raste të dhunës ose krimit në familje. Dhunë, vrasje dhe vetëvrasje, me një shpërndarje gjeografike pothuajse në të gjithë territorin. Për këtë arsye, policia mendoi të krijojë një sektor të veçantë, që të trajtojë këto raste, bazuar në një ligj, të miratuar që në vitin 2006. Ky sektor, i cili po ndjek një procedurë "amerikane", po mundohet të parandalojë krimin në familje, duke lëshuar edhe urdhra për protagonistët e këtyre ngjarjeve. Sipas të dhënave zyrtare, është gati e pamundur që një ditë të kalojë pa dëgjuar, lexuar apo mësuar për një krim të ri brenda familjes shqiptare. Babai vret të birin. Fëmija kryen vetëvrasje pas polemikave me prindërit. Dhuna fizike ndaj grave i shtyn ato të vrasin bashkëshortin abuzues, apo edhe shumë raste të tjera më të rënda, deri te përdhunime seksuale brenda familjes. Sipas organeve përkatëse, "dhunë në familje" është çdo akt dhune i ushtruar midis personave që janë apo kanë qenë në marrëdhënie familjare. Megjithatë, ndaj këtyre akteve ka edhe masa mbrojtje që garantohen me ligj dhe shumë pak të dëmtuar i aplikojnë. Një ndër organet kryesore që garanton mbrojtjen e të dhunuarve është policia. Kjo realizohet përmes vendosjes së masave mbrojtëse nga gjykatat civile. Sipas ligjeve në fuqi, organi kompetent për lëshimin e urdhrave mbrojtës në rastin e dhunës në familje është gjykata e rrethit gjyqësor, seksioni familjar. Për të vendosur sigurimin e masave, gjykata lëshon urdhra mbrojtjeje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje. Një rast i tillë u shënua vetëm pak ditë më parë, ku policia ekzekutoi një urdhër të tillë. Një burrë kërcënonte bashkëshorten e tij me qëllim pengimin e saj për të marrë përsipër kujdestarinë e fëmijëve. Në këto kushte, policia i dha urdhër këtij personi që mos t‘i afrohej bashkëshortes, pasi mund të përballej me ndonjë akuzë për vepër penale. Zakonisht në këto raste, urdhrat e policisë dhe ligjet e miratuara parashikojnë disa lloj masa mbrojtjeje. Specialistët shpjegojnë se një nga mënyrat për të siguruar mbrojtjen nga dhuna në familje kryhet duke urdhëruar menjëherë dhunuesin që të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër të dhunës në familje ndaj të dëmtuarës apo pjesëtarëve të tjerë të familjes së saj, siç përcaktohet në nenin 3 të ligjit për "Masa Ndaj Dhunës Në Marrëdhëniet Familjare". Madje, bazuar në urdhrat e lëshuar, që tashmë zbatohen nga seksioni në polici i mbrojtjes së të miturve dhe dhunës në familje, mund të urdhërohet që protagonisti i këtyre ngjarjeve të largohet edhe nga banesa ku jetojnë denoncuesit, me qëllim shmangien e ndonjë krimi në familje. Policia shprehet se urdhra të tillë u jepen agresorëve kur nuk kanë kryer vepra penale, por vetëm kundërvajtje penale. Kështu, në rast përsëritjeje ose shkelje urdhri, atëherë këta persona akuzohen drejtpërdrejt për vepër penale dhe kryhet arrestimi i tyre, me qëllim që të parandalohet krimi në familje.

Ligji

Kush mund të kërkojë

një urdhër-mbrojtjeje

Kërkesën për urdhër mbrojtjeje mund ta paraqesë:

viktima

përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës

policia dhe prokuroria

Kërkesën për urdhër mbrojtjeje të një të mituri mund ta paraqesë:

prindi ose kujdestari i të miturit

përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës

të afërmit

përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës, ku ka banimin e përhershëm apo të përkohshëm viktima, që kanë dijeni për ushtrimin e dhunës

qendrat dhe shërbimet për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje, të njohura/licencuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›