E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen dy grekë, po iknin me 450 mijë euro

Dy shtetas grekë nuk lihen të kthehen drejt vendlindjes së tyre nga policia kufitare e Gjirokastrës, pasi dispononin sasi të hollash të padeklaruara. Lajmi konfirmohet nga Zyra për Informim në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Sipas burimeve të besueshme në Stacionin Kufitar të Kakavijës, konstatimi i një sasie të hollash prej 450 mijë eurosh në bagazhin e automjetit ku udhëtonin shtetasit grekë Konstantinos Ilijasis dhe Janis Bosias, u bë mesditën e djeshme. Automjeti që drejtohej nga 48-vjeçari Ilijasis, ku gjendej pasagjer Janis Bosias, ishte tip "SEAT" me targa ZMX9897 dhe prej disa ditësh gjendej në Shqipëri për qëllime ende të diskutueshme nga ana e Policisë së Gjirokastrës. Mosdeklarimi në momentin e daljes nga Shqipëria i parave që dispononin, në një sasi deri në 999 euro, quhet shkelje. Sipas një burimi tepër të sigurt, dy shtetasit grekë gjatë deponimeve fillestare në polici kanë deklaruar se sasia e të hollave prej 450 mijë eurosh është tërhequr nga një bankë greke në Tiranë me qëllim hapjen e një farmacie në kryeqytetin shqiptar. Në pamundësi të realizimit të këtij projekti në një afat të shkurtër kohor, ata gjykuan kthimin e tyre së bashku me sasinë e eurove në Greqi. Ndërkohë, po punohet nga sektori i krimeve për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, duke pasur si alternativë ekzistuese edhe arrestimin e tyre në rast se do të provohet ndonjë vepër penale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›