Korfuz, edhe shqiptarë mes grevistëve të burgut
Një natë e kaluar në tarracën e ndërtesës së burgut, nën vëzhgim të rreptë policor. Kjo ka qenë mënyra e protestimit të 80 të dënuarve që vuajnë dënimin në Burgun e Korfuzit. Mes tyre mësohet të kenë qenë edhe mjaft të burgosur shqiptarë, që u janë bashkuar kërkesave për përmirësim të kushteve në burg. Mediat lokale të ishullit helen kanë publikuar lajmin se të burgosurit kanë refuzuar të kthehen në qelitë e tyre, pasi protestojnë kundër përkeqësimit të kushteve në mjediset e fjetjes në burg. Në shenjë proteste ndaj kësaj, të dënuarit kaluan natën e mbrëmshme në tarracën e ndërtesës, e cila është mbajtur e rrethuar gjatë gjithë natës nga forca të shumta policore. Shkak për hyrjen në grevë ka qenë mbipopullimi i ndodhur javët e fundit në burgun e tyre dhe kërkesat për trajtim më njerëzor nga ana e drejtuesve, pasi 230 të burgosurit kanë qenë të detyruar të sistemohen në 180 vende, duke vështirësuar kështu javët e fundit, pas nisjes së punimeve restauruese e rehabilituese të ndërtesës. Pritet që sot t‘i jepet fund grevës së 80 të burgosurve, pasi është premtuar nga zyrtarë të burgut transferimi i 50 prej tyre për në institucione që gjenden në qytete të tjera greke.