E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjetërsi pune edhe si shtëpiake

Edhe pse figurojnë të papuna, vitet që kalojnë duke u kujdesur për familjen dhe fëmijët do të njihen si vjetërsi pune për gratë shqiptare. Ky është një nga rregullat që pritet të hyjë në fuqi me miratimin në Parlament të projektligjit "Për barazinë gjinore". Ndërkohë, që ky projektligji endet nëpër tryezat e komisionit parlamentar dhe pret të kalojë në Parlament për miratim, në Durrës është diskutuar mbi risitë që ai sjell dhe strategjinë kombëtare për barazinë gjinore dhe dhunën në familje. Takimi është organizuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në Prefekturën e Qarkut Durrës dhe pjesëmarrësit ndërsa janë njohur me situatën gjinore në Qarkun e Durrësit, strategjinë kombëtare dhe projektligjin, kanë diskutuar rreth tyre.

Rregullat e reja

Drejtoresha e Drejtorisë së Shanseve të Barabarta në ministri, Ana Xheka, tha se projektligji synon të rregullojë çështje themelore të barazisë gjinore në jetën publike, të mbrojtjes dhe trajtimit të barabartë të grave dhe burrave lidhur me mundësitë dhe shanset për ushtrimin e të drejtave, si dhe me pjesëmarrjen e ndihmesën e tyre për zhvillimin në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Njoftimet e punës që ndalen në një gjini të caktuar do të përbëjnë diskriminim në bazë të projektligjit që pret miratimin dhe do të ndëshkohen. Ndërkohë, për herë të parë në shtetin ligjor shqiptar do të merret në konsideratë puna e papaguar e grave, e cila do të vlerësohet si kontribut për zhvillimin e familjes dhe shoqërisë në rastet kur gruaja apo dhe burri kujdeset për mirëqenien e familjes, për fëmijët, anëtarë të tjerë të familjes, si dhe punon në bujqësi dhe ekonominë familjare. Në këto raste ato do të përfitojnë nga shërbimet në komunitet, politikat e punës dhe punësimit, si dhe të formimit profesional. Ndërkohë që puna e papaguar e grave në shtëpi mund të vlerësohet dhe si vjetërsi pune për efekt pensioni pleqërie. Për të siguruar një shoqëri të barabartë për të dyja gjinitë, mjaft i rëndësishëm konsiderohet edukimi dhe në nenin 23 të projektligjit thuhet se të gjitha subjektet që ofrojnë arsimim, kualifikim, trajnim dhe ata që formulojnë tekste dhe programe edukimi, duhet të transmetojnë njohuritë e nevojshme për nxitjen dhe formimin e edukatës së barazisë dhe ndalimit të diskriminimit gjinor.

Autoriteti

Përtej problematikës së gjendjes së gruas në shoqërinë dhe politikën shqiptare, që është e njohur në vendin tonë, gjatë diskutimit të projektligjit në Durrës u shpreh shqetësimi mbi çështje konkrete dhe veçanërisht mbi zbatueshmërinë e ligjit pas miratimit në Parlament. Është kthyer në normalitet fakti që në Shqipëri edhe kur ligjet ekzistojnë, nuk zbatohen, ose zbatohen në varësi të interesave të caktuara, duke shfrytëzuar veçanërisht vakumet ligjore.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta sqaruan se në projektligj është parashikuar mandati i Komisionarit të Barazisë Gjinore, i cili do të gëzojë imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe do të jetë mbikëqyrësi i zbatimit të këtij ligji, si dhe i akteve nënligjore dhe marrëveshjeve ndërkombëtare pa diskriminim në bazë gjinie. Ai do të jetë avokati mbrojtës i rasteve të denoncuara për diskriminim gjinor dhe shkelje të tjera në këtë drejtim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›