E Diel, 1 Nëntor 2026

Kisha shqiptare "paditet" në Vatikan

Për herë të parë në historinë kishtare në Shqipëri, Arqipeshkvia, si institucioni më i lartë i fesë katolike, bën kallëzim penal, duke hapur një proces gjyqësor ndaj një ish-kleriku të saj. Një konflikt mes famullitarit të Velipojës dhe Arqipeshkvisë ka bërë që përveç gjykatave shqiptare, me çështjen të merret edhe Selia e Shenjtë në Vatikan, ku ka mbërritur një dosje me akuza për klerikët më të lartë të Shqipërisë.

Gjyqi

Bëhet fjalë për një seancë gjyqësore aspak të zakontë, të zhvilluar dje në Shkodër, ku prifti Dom Marjan Ujka, i cili ka shërbyer deri para pak muajsh si famullitar në Velipojë, është marrë si i pandehur nga gjykata nën akuzën e dy veprave penale të ngritura nga Prokuroria e Shkodër pas kallëzimit që ka bërë Arqipeshkvia. Por, sipas klerikut Dom Marjan Ujka, Arqipeshkvia ka shpifur dhe ka gënjyer me padinë që ka ngritur dhe për këtë ka pasur vetëm një motiv: xhelozi për punën e bërë në zonën e Velipojës.

Akuza

Në seancën gjyqësore, të zhvilluar në Gjykatën e Shkallë së Parë Shkodër, prokurorja e kësaj çështjeje, Edlira Cufi, ka paraqitur para trupit gjykues dy akuza për të pandehurin Marjan Ujka: pengim të kryerjes së ceremonive fetare dhe kryerje të funksionit pas dhënies fund të tij. Sipas prokurores, këto dy vepra penale janë parashikuar nga nenet 249 dhe 133 të Kodit Penal. Hetimi i kësaj çështjeje ka nisur pas kallëzimit që ka bërë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër në muajin dhjetor të vitit 2007 Arqipeshkvi i Metropolit Shkodër, Pult Angjelo Masafra. Ai ka deklaruar në polici se Dom Marjan Ujka po pengon priftërinë që e ka zëvendësuar që të kryejë ceremonitë fetare në Velipojë. Gjithashtu, sipas kallëzimit të bërë për Dom Marjanin, ky i fundit vazhdon të kryejë funksionin e famullitarit edhe pse nuk është më në këtë detyrë. Por burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur për gazetën se prokuroria, gjatë hetimit, ka arritur në përfundimin se shtetasi Marjan Ujka i ka konsumuar të dyja veprat penale për të cilat akuzohet. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se në lidhje me shkarkimin e Dom Marjanit nuk ka pasur kundërshtime nga Vatikani.

Mbrojtja

Avokati mbrojtës i Dom Marjan Ujkës, Dedë Pali, është shprehur para trupit gjykues se ky veprim i prokurorisë është një gabim juridik apo lajthitje, pasi prokuroria padrejtësisht përzihet në punët e fesë, pasi në nenin 10 të Kushtetutës, parashikohet që shteti është asnjanës në çështjet e besimit dhe garanton lirinë e shprehjes në jetën publike. Në të njëjtën kohë, sipas avokatit, neni 294, "kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij", nuk parashikon juridikisht klerikët apo njerëzit e fesë. Në mbrojtjen e tij, avokati mbrojtës është shprehur se "kemi 33 lista me mbi njëmijë emra ku vërtetohet se Dom Marjan Ujka nuk ka penguar ceremonitë fetare. Përkundrazi, me punën që ka bërë, ai ka ngritur lart besimin dhe ka investuar së tepërmi për fenë dhe për banorët e zonës".

Shtyrja

Trupi gjykues ka kërkuar dje që të paraqitej në cilësinë e dëshmitarit arqipeshkvi i Shkodrës, Angjelo Masafrën, si personi i cili ka bërë dhe kallëzimin, por arqipeshkvi nuk ishte i pranishëm në sallë dhe për këtë arsye trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për datën 22 prill. Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm dhe disa banorë të Velipojës, të cilët kishin ardhur vullnetarisht për të dëshmuar në favor të Dom Marjan Ujkës.

Avokati

"Presim përgjigjen e Papës"

Avokati mbrojtës i Dom Marjan Ujkës, Dedë Pali, duke folur për gazetën, shprehet se ajo që ndodhi dje në Gjykatën e Shkodrës ishte e pakuptimtë, pasi nuk ka hapësirë ligjore për të ndërhyrë shteti në probleme të brendshme të fesë. Për këto çështje është kompetent për të dhënë vendime vetëm Vatikani, ndaj duhet pritur verdikti përfundimtar i Vatikanit dhe një përgjigje direkte nga autoriteti më i lartë i fesë katolike, Papa.

Dom Marjani: Çështja po shqyrtohet në Selinë e Shenjtë

Dom Marjan Ujka është emëruar si famullitar në Velipojë në vitin 1994 dhe deri në vitin 2007 ka qenë iniciator i një sërë investimesh, si ndërtim shkollash, urash, rrugësh dhe kishash, furrash buke, këndesh sportive etj., që kapin shifrën e rreth 15 milionë dollarëve.

Por përplasjet me arqipeshkvin nisën në vitin 2006, kur Dom Marjan Ujka i kërkoi Arqipeshkvisë që ai të qëndrojë si famullitar i inkardinuar (definitiv) në Velipojë. Kjo kërkesë nuk u pranua nga Arqipeshkvia dhe Dom Marjanit iu kërkua të qëndronte si misionar, çka nuk u pranua prej tij. Në vend të Dom Marjanit u emërua një tjetër prift katolik. Në reagim të kësaj, në muajin tetor të vitit 2007, rreth 60 burra të Komunës Velipojë qëndruan për një javë në grevë urie, por nuk arritën që të kthejnë si famullitar Dom Marjan Ujkën në Komunën e Velipojës.

Duke folur për gazetën "Shqip", Dom Marjan Ujka thotë: Asnjë nga akuzat nuk qëndron. Ato janë vetëm shpifje të arqipeshkvit të Shkodrës. Do të vazhdoj të kërkoj të drejtën time kundrejt këtyre akuzave, që nuk qëndrojnë. Unë ushtroj detyrën si famullitar në Velipojë prej 12 vitesh dhe kam dhënë një kontribut tepër të madh në ndërtimin e kishave, shkollave, këndeve sportive dhe kulturore, ndihma të ndryshme ekonomike dhe të gjitha këto kapin shifrën e 15 milionë dollarëve. Duke qenë i dhënë me mish e shpirt pas popullit të Velipojës, ishte ky popull që kur mori vesh se do më largonin, hyri në grevë urie. Ishin 60 burra që kërkuan të flijohen, por unë i urdhërova që të dalin, pasi jeta e tyre për mua ishte më e shtrenjtë se gjithçka. Në lidhje me shkarkimin tim, kam dërguar në Vatikan një dosje me argumente të shumta, ku vërtetoj se shkarkimi im është i padrejtë dhe pres që nga drejtues të lartë të Vatikanit të merret një vendim.

Më vonë do të dalin në dritë fakte dhe argumente të reja, që provojnë se Dom Marjani është shkarkuar nga ky post vetëm se Arqipeshkvia po bëhej xheloze për punën madhështore që po bëhej në Velipojë me investime tepër të mëdha, me kontributin dhe ndihmën e kishave jashtë Shqipërisë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›