Politika shkon në spital: E pafalshme, plagosja e mjekut
Krerët më të lartë të shtetit i janë drejtuar njëri pas tjetrit dje Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Ndalesa e tyre ka qenë e përbashkët, spitali i sëmundjeve të brendshme, salla e reanimacionit, në repartin e kardiologjisë. Aty qëndron i shtruar, nën trajtim intensiv mjekësor, por jashtë rrezikut për jetën, prof. dr. Ali Refatllari. Ai ka mbetur i plagosur mëngjesin e djeshëm, me dy goditje thike, nga nipi i një pacienti të tij, që humbi jetën pak ditë më parë, gjatë operacionit në zemër. Presidenti i vendit, Bamir Topi, u interesua për gjendjen shëndetësore të dr. Refatllarit, duke u informuar rreth shëndetit të mjekut kardiokirurg, nga drejtori i QSUT-së, Mati Pepa, nga shefi i Kirurgjisë, Edmond Kapedani, si dhe dr. Myftar Barbullushi. "Kreu i shtetit u sigurua se jeta e mjekut është jashtë rrezikut dhe se kujdesi do të jetë maksimal", sqarojnë burimet zyrtare të Presidencës, të cilat njoftojnë më tej se: "Presidenti Topi u përshëndet për pak çaste me mjekun e njohur, i cili sapo kishte dalë nga gjendja e narkozës, duke i uruar atij shërim të shpejtë". Një vizitor tjetër i kardiokirurgut të plagosur ka qenë edhe mjeku i zemrës, tashmë Kryeministër i vendit, Sali Berisha. Ndonëse numri një i ekzekutivit, i dalë nga radhët e bluzave të bardha, nuk e ka komentuar ngjarjen e rëndë të ndodhur në QSUT, ai nuk ka munguar që t‘i urojë kolegut, të së njëjtës katedër, shërim sa më të shpejtë. E përveç vizitave korteziale, pranë mjekut të plagosur, më i drejtpërdrejtë ka qenë kreu i Shëndetësisë, Nard Ndoka, lidhur me këtë "akt të paprecedent", siç e ka cilësuar ai ngjarjen e goditjes me thikë të kardiokirurgut, në mjediset spitalore. "Plagosja e mjekut kardiokirurg Ali Refatllari, teksa ishte duke kryer detyrën e tij, është një ngjarje e pafalshme", u shpreh ministri i Shëndetësisë, ndër të parët që u shfaq në ambientet e QSUT-së pas kësaj ngjarjeje të dhunshme. "Nevojitet respekt dhe mirënjohje për punën dhe misionin e mjekut. Ky rast nuk duhet të përsëritet më", theksoi Ndoka, i cili në krye të institucionit të Shëndetësisë, jo në pak raste ka mbajtur koston ndaj qëndrimeve kritike dhe akuzave për mitëmarrje dhe abuzime nga ana e bluzave të bardha. Sipas ministrit Ndoka, ky akt i paprecedent dëmton dhe pengon punën e mjekëve dhe imazhin e shqiptarëve. Edhe numri një i Shëndetësisë, ashtu sikundër mjekët e spitalit më të madh në vend, ka apeluar për më shumë siguri, por edhe për më tepër respekt për punën e atyre njerëzve që shpëtojnë jetë. Aktualisht, Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" paguan nga buxheti i saj një polici private për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në këto ambiente, pa përjashtuar këtu edhe ndërhyrjet e dhunshme kundër mjekëve. Por duket se këtë herë policia private nuk ka mundur që të parandalojë një ngjarje të tillë, ndonëse plagosja e mjekut ka ndodhur jo shumë larg derës së repartit të kardiologjisë, që përkon edhe me hyrjen kryesore, ku qëndron punonjësi i policisë private.