Gjendet i vdekur roja i KMY-së, dyshohet për vrasje
Një person është gjetur mbrëmë i vdekur në Yzberisht të Tiranës. Ndërkohë policia ka ngritur dyshimet e para se ai mund të jetë vrarë. Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes dhe menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.6. Burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se rreth orës 21:00 janë njoftuar se një person ishte gjetur i vdekur nga kalimtarët në Yzberisht. Me t‘u njoftuar, në vendin e ngjarjes është nisur edhe një grup hetimor, për të vlerësuar nëse kjo ishte një vdekje natyrale, apo një vrasje. Sipas policisë është vënë re se ngjarja kishte ndodhur pranë Kombinatit të Mishit, KMY. Nga të dhënat e para ka rezultuar se viktima ishte roje privat i KMY-së. Ai mendohet se është goditur pas koke, por ende nuk ka emra konkretë të të dyshuarve apo motive të ngjarjes. Sipas policisë, nga të dhënat e para, viktima është identifikuar me emrin Demir Seferi, 55 vjeç. Pas kryerjes së veprimeve paraprake në vendin e ngjarjes, ai është dërguar në morgun e Tiranës. Burimet hetimore thanë se ai do t‘i nënshtrohet një ekspertize mjekoligjore, nga ku do të rezultojë edhe shkaku i vdekjes. Ndërkohë, nga të dhënat e mjekësisë ligjore dyshohet se ai mund të jetë përplasur edhe nga ndonjë automjet dhe ka vdekur për shkak të atakut kardiak, i shkaktuar nga ky aksident.