Ligji, gjobë kush nuk paguan leket e shkalles
Ligji synon të përcaktojë rregullim marrëdhëniesh në fushën e administrimit të ambienteve dhe pronës së përbashkët nëpër pallate.
TIRANË- Të gjitha familjet që banojnë në pallate, të hipotekuara ose jo, do ta organizojnë jetën e tyre në komunitet sipas rregullave të përcaktuara nga qeveria. Që tani e tutje askush nuk do të mund ti shmanget detyrimeve për mirëmbajtjen e ambienteve të përbashkëta në një pallat, siç mund të jetë ashensori, ndriçimi, pastrimi i shkallës, mirëmbajtja e parkingut, gjelbërimi i ambienteve rrethuese etj, pasi do të përballet me sanksione të forta që shkojnë nga gjoba deri tek sekuestrimi i pasurive të tyre private. Madje ekzekutivi nëpërmjet një urdhri të veçantë do të përcaktojë edhe skemën e përllogaritjes së shumës që do të paguajë çdo familje për mirëmbajtjen e të gjitha atyre objekteve apo pjesëve të përbashkëta të një pallati duke përfshirë ashensorin, shkallët, ndriçimin etj.
Nisma
Qeveria ka paraqitur në Kuvend për miratim projektligjin "Për administrimin e ndërtesave te banimit", nëpërmjet të cilit synon të përcaktojë një kuadër të plotë rregullator të marrëdhënieve juridike në fushën e administrimit të ambienteve dhe pronës së përbashkëta nëpër pallate. Kështu, objekte në pronësi të përbashkët do të quhen të gjitha pjesët e një prone në bashkëpronësi përveç njësisë duke përfshirë truallin mbi të cilin është ngritur ndërtesa, oborret e rrethuara, parkimet, pishinat, gjelbërimin, themelet, muret mbajtëse, çatinë, tarracën, shkallët, sheshpushimet, ashensorët, kalimet, bodrumet, puset, pusetat, depozitat e ujit, kaldajat, kanalizime, kolona shkarkimi, oxhakë, sisteme elektrike, hidraulike, gazi ose ngrohje etj. Marrëdhëniet për administrimin e këtyre njësive të përbashkëta do të rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit Civil, te këtij ligji dhe të Rregullores e administrimit te banesave. Nisma ligjore parashikon që fillimisht të gjithë kryefamiljarët apo pronarët e njësive të veçanta të banimit në një pallat do të nënshkruajnë dhe do të regjistrojnë në hipotekë Aktit e Bashkëpronësisë i cili do të përmbajë përshkrimin fizik të godinës së banimit, destinacionin e përdorimit të çdo njësie individuale, përfshirë objektet në bashkëpronësi të detyrueshme, kuotat e pjesëmarrjes në bashkëpronësi për çdo njësi, rregulloren mbi procedurat e formimit dhe funksionimit të asamblesë së pronarëve të njësive, e cila nga ana e vet zgjedh kryesinë. Akti i bashkëpronësisë do të jetë organizuar sipas një formati Tip që do të miratohet po me vendim të Këshillit të Ministrave.
Vendimet
Ruajtja e higjenës në korridoret apo oborret e pallateve tona nuk do të jetë më një detyrim moral. Kjo pasi drafti në fjalë parashikon që për zbatimin e normave detyruese në ndërtesat e banimit bashkia apo komuna, përcakton standardet minimale të domosdoshme për tu respektuar nga bashkëpronësia, për ruajtjen e higjienës dhe shëndetit publik, të mbrojtjes kundër zjarrit dhe mirëmbajtjen fizike të brendshme, fasadave, mjediseve rrethuese që janë pjesë e aktit të bashkëpronësisë, si dhe të sjelljes qytetare në këto mjedise. Mbikqyrja për realizimin e normave detyruese bëhet nga organet e qeverisjes vendore. Ndërkohë që për administrimin e bashkëpronësisë dhe këtyre detyrimeve minimale kryesia e asamblesë së pallatit lidh kontratë një Shoqëri Administrimi ose një Administrator person fizik, i cili mund të jetë njëri prej bashkëpronarëve ose një person i jashtëm. Në rastet kur këtë se bënë kryesia atëherë këtë detyrë e kryen njësia vendore dhe shpenzimet për këtë shërbim i faturohen bashkëpronarëve të pallatit. Administratori merret me zbatimin e vendimeve të marra nga asambleja e bashkëpronarëve siç është ndërmarrja e kontrolleve periodike teknike dhe higjieno- shëndetësore mbi gjendjen e pronës dhe objekteve në bashkëpronësi, si sistemi i mbrojtjes kundra zjarrit, sistemi i ngrohjes qendrore, ashensorëve, tarracave, sistemin e ndriçimit, praninë e insekteve e paraziteve, etj, dhe veprimeve për të eliminuar dëmtimet e pronës a praninë e faktorëve që mund të përbëjnë rrezik për epidemi, sëmundje, si dhe bën mbledhjen, faturimin ose kontrollin për derdhjen në llogari bankare të tarifave mujore. Mënyra dhe koha e pagesës së tarifës së administrimit përcaktohen nga asambleja e bashkëpronarëve. Nëse një bashkëpronar nuk e paguan tarifën e administrimit në kohën e caktuar, për çdo muaj vonesë, ai paguan një kamatë prej 10% të asaj tarife dhe më pas kalon në hallkat gjyqësore deri tek përmbarimi.
Ligji përcakton mënyrën se do të zbatohen rregullat që lindin nga bashkëjetesa në pallat
Pagesa e detyrimeve, krijohen asambletë e pallateve
TIRANË- Për organizimin dhe zbatimin e rregullave që lindin nga bashkëjetesa në pallat krijohet Asambleja e Bashkëpronarëve, ku do të bëjnë pjesë të gjithë pronarët e hyrjeve të pallatit. Mbledhja organizuese për formimin e asamblesë thirret nga krijuesi i bashkëpronësisë brenda 30 ditëve nga data kur pronaret që përbëjnë të paktën 1/3 e kuotave pjesëmarrëse në bashkëpronësi kanë fituar pronësinë mbi pjesët individuale. Kur asambleja nuk është mbledhur asnjëherë, secili nga bashkëpronarët ka të drejtë të kërkojë mbledhjen e saj dhe nëse bashkëpronarët refuzojnë të organizojnë asamblenë e tyre, atëherë secili bashkëpronar i drejtohet kryetarit të bashkisë/komunës për të thirrur mbledhjen organizuese. Në mbledhjen e parë asambleja do të zgjedh kryesinë, përcakton mandatin e saj dhe vendos për masën e tarifës së administrimit që do të duhet të paguajë secila prej familjeve të atij pallati. Një kopje e vendimit për zgjedhjen e kryesisë depozitohet për regjistrim në bashki apo komunë dhe të cilat nga ana e tyre krijojnë regjistrin e bashkëpronësisë i cili duhet të përmbajë emrat e anëtarëve të kryesisë dhe adresën e ndërtesës së banimit. Pronari i një hyrje të veçantë në një pallat ka detyrimin të respektojë gjithashtu normat e etikës dhe bashkëjetesës të përcaktuara në Rregulloren e Administrimit të Ndërtesave, të paguajë tarifën e administrimit edhe në rastet kur nuk banon apo e ka dhënë banesën e vet me qira, të lejojë kryerjen e inspektimeve nga komuna apo bashkia, si dhe të lejojë riparimin e pronës së përbashkët. Ndërkohë që edhe të gjithë personat që banojnë si qiramarrës në njësinë e pronarit duhet të zbatojnë rregullat e caktuara nga asambleja për të gjithë banorët e bashkëpronësisë. Ata mund te marrin pjese ne mbledhjet e asamblesë, por pa te drejte vote. Gjithashtu edhe pronarët e hyrjeve që nuk përdoren, ose që jetojnë jashtë vendit, janë të detyruar të kontribuojnë për administrimin dhe mirëmbajtjen e pronës në bashkëpronësi, njëlloj si bashkëpronarët e tjerë.